90 banorët e rrezikuar nga rrëshqitja e dheut në lagjen ‘Punëtore’ janë në qiell të hapur për të tretën natë me radhë, pasi pallati 5 katësh dhe një vilë 3 katëshe aty pranë rrezikojnë të shemben. Por në këtë situatë emergjente, ka dhe momente qesharake sa i përket reagimeve të institucioneve. Drejtori i Gjeologjisë, Çano Nora ka bërë thirrje disa herë që banorët të braktisin shtëpitë pasi rreziku është i madh. Ndërkohë Aleksandër Pesha, inxhinier në Bashkinë Gjirokastër, ka thënë se nuk asnjë rrezik dhe se banorët duhet të kthehen në shtëpitë e tyre.
“Banorët nuk rrezikohen, pallati nga ana e strukturave nuk ka asnjë lloj problematike, i gjithë kavazi i shkallëve këtu u kontrollua, janë disa plasaritje të vjetra në suvatime ku ka pasur punime të restaurimit të Ujësjellësit. Qytetarët mund të flenë të qetë’, tha Pesha.
Sot në mbrëmjë gjatë një lidhje direkte me Ora News, nënkryetari i Bashkisë Gjirokastër, Vangjel Muço, i pyetur nëse banorët duhet qëndrojnë apo jo në shtëpi, u shpreh:
‘Nuk e di. Këtë nuk marr përsipër ta them”.
Pra, Bashkia Gjirokastër ka dy qëndrime të ndryshme për problemin. Inxhinieri Aleksandër Pesha thotë që s’ka asnjë rrezik, ndërsa nënkryetari Vangjel Muço nuk merr përsipër t’u tregojë banorëve se çfarë duhet të bëjnë. Nga ana tjetër janë përfaqësuesit e Shërbimit Gjeologjik që u kërkojnë banorëve të largohen nga banesat pasi çarjet e tokës vazhdojnë. Por banorët frika i ka mbajtur tre ditë jashtë shtëpive. Një pjesë e konsiderueshme e tyre natën e kanë kaluar në automjete e të tjerë te të afërm.
Bashkia ka ofruar për 18 familjet e prekura ambiente në hotele e konvikte por ata nuk kanë pranuar të largohen deri në normalizimin e situatës. Banorët pretendojnë se një banese dy katëshe në pjesën e poshtme të kodrës në pronësi të Marjana Kararit është bërë shkak i gjithë rrëshqitjes. Në këtë ndërtesë prej më shumë se 6 ditësh punohej me mjete të rënda dhe tronditjet mund të kenë shkaktuar rreshkitje të tokës. Rezulton se e zonja e shtëpisë punonte pa leje dhe për këtë arsye policia bashkiake së bashku me policine e rendit e kanë shoqëruar në ambjentet e komisariatit.
©ArgjiroLajm.net









