Prej tre ditësh rreth 90 banorët në lagjen ‘Punëtore’ e kalojnë natën jashtë me frikën se mos pallati dhe një vilë aty pranë do të shemben nga rrëshqitjet e tokës. Por kryebashkiakja Zamira Rami deri më tani nuk ka shkuar të bisedojë me banorët apo të shikojë nga afër situatën.
Natyrisht që nuk mund të mendohet se ajo e ka ‘shkopin magjik’, me të cilin mund ta zgjidhë problemin dhe se në një situatë të tillë duhet të flasin më shumë ekspertët. Por, qoftë edhe për solidaritet me banorët, është e udhës që më mirë të shkojë titullari i institucionit sesa vartësit e saj. Aq më tepër kur këta të fundit shkojnë dhe e bëjnë lëmsh problemin duke krijuar konfuzion te banorët. Inxhnieri Aleksandër Pesha thotë se banorët duhet ta bëjnë gjumin e qetë pasi nuk ka rrezik, ndërsa nënkryetari Vangjel Muço tërhiqet duke thënë se nuk merr dot përsipër të thotë se çfarë duhet të bëjnë banorët në një situatë të tillë.
Nga ana tjetër siç është raportuar gjërësisht në media, Shërbimi i Gjeologjisë apelon që banorët të braktisin shtëpitë. Ndoshta kryebashkiakja Zamira Rami nuk ka dashur ta prishë fundjavën për t’u gjendur pranë banorëve dhe vizitën do e ketë lënë për nesër.
©ArgjiroLajm.net









