Operacioni “Historiku” në Tepelenë, policia sekuestron dy armë dhe lëndë të dyshuar narkotike në banesën e tij në fshatin Majkosh.
Një 44-vjeçar, i dënuar më parë për vrasje, është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës, pasi gjatë kontrolleve në banesën e tij në fshatin Majkosh, në Tepelenë, u gjetën dy armë dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Arrestimi i shtetasit me inicialet S. L., banues në Tiranë, u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Historiku”, të finalizuar nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin Operacional dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit në banesën tjetër të 44-vjeçarit, në fshatin Majkosh, u konstatua se ai mbante pa leje një pistoletë me municion dhe një armë sportive. Gjithashtu, në banesë u gjet edhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të intensifikimit të kontrolleve dhe punës operative të Policisë, me fokus mbikëqyrjen e personave me precedentë penalë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.









