Nga Leondard Hide
TË KESH FRIKË NGA PROTESTA, APO NGA VESHËT E MBYLLUR?
Të protestosh në këtë vend nuk është fundi i botës. Askush nuk duhet të ketë frikë nga zëri i qytetarëve, por duhet të ketë frikë nga veshët e mbyllur. Sepse një shoqëri nuk rrezikohet vetëm kur njerëzit ngrenë zërin, por edhe kur ata që duhet t’i dëgjojnë zgjedhin të heshtin.
Ndonjëherë nuk na pëlqen toni, fjalët apo e vërteta që fshihet brenda tyre. Ndonjëherë themi se nuk dëgjuam, vetëm për të shmangur përgjegjësinë. Por përpara se zemërimi të shpërthejë, zakonisht ka qenë një fjalë që nuk u dëgjua, një shqetësim që u shpërfill, një zë që nuk gjeti përgjigje. Kjo nuk e justifikon dhunën, por na kujton se përpara se të gjykojmë reagimin, duhet të kemi guximin të kuptojmë edhe arsyet që e paraprinë.
Distancohem nga dhuna, djegiet, shkatërrimet, vjedhjet dhe çdo akt që cenon njerëzit e pronën. Asnjë kauzë nuk duhet të bëhet pis nga akte të tilla. Do të doja që vetë protestuesit të mos lejonin që individë të papërgjegjshëm t’ua rrëmbenin kuptimin dhe dinjitetin protestës së tyre. E di sa e vështirë është kjo, por është e domosdoshme.
Por ka një pamje të kësaj proteste që nuk duhet ta kalojmë lehtë. Pashë njerëz me lot në sy, teksa përballë tyre qëndronin njerëz të tjerë, me të njëjtën gjuhë, të njëjtën tokë e ndoshta të njëjtin gjak. Vëllai përballë vëllait, motra përballë motrës, fëmija përballë prindit. Qytetari përballë efektivit, i cili mund të jetë vëllai, fëmija apo prindi i dikujt tjetër.
Askush nuk del në protestë për të luftuar kundër vëllait të vet. Askush nuk duhet të detyrohet të shohë armik te njeriu që ka përballë. Dhe kur një dorë ngrihet mbi një tjetër, nuk lëndohet vetëm trupi. Lëndohet diçka shumë më e thellë: lidhja njerëzore që duhet të na mbajë bashkë edhe kur mendojmë ndryshe.
Për këtë arsye, më vjen keq për çdo protestues të dhunuar, për çdo efektiv të lënduar dhe për çdo qytetar apo biznes që ka pësuar dëme. Dhimbja e njërit nuk e përjashton dhimbjen e tjetrit. Të distancohesh nga dhuna nuk do të thotë të braktisësh kauzën, por të mbrosh njerëzit dhe arsyen për të cilën ke dalë të protestosh.
Në protestë kishte njerëz me bindje të ndryshme politike. Asnjë forcë politike nuk ka të drejtë t’i konsiderojë pronë të saj. Njerëzit nuk janë numra, turma apo dekor për interesat e askujt. Janë qytetarë që kanë mendimet, shqetësimet dhe arsyet e tyre për të qenë aty.
Vendimet që prekin jetën e njerëzve nuk duhet të kthehen në fakte të kryera pa dialog, pa dëgjim dhe pa bindje të ndërsjellë. Të dëgjosh nuk do të thotë thjesht të thuash se i dëgjove. Do të thotë të përballesh me shqetësimet e tyre dhe, kur kupton se rruga e zgjedhur nuk është në interes të komunitetit, të kesh kurajën të reflektosh. Të bësh një hap pas për të dëgjuar njerëzit, nuk do të thotë se humbet ritmin për rrugën e nisur, përkundrazi do të thotë se përgatitesh për të mos e bërë rrugën i vetëm.
Dhe për prindërit e studentëve që dolën në protestë: mos ndieni turp e as faj. Detyrën tuaj për t’i rritur dhe për t’i përgatitur që të ecin vetë e keni bërë. Ata tashmë janë të rritur, mendojnë, zgjedhin dhe mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Përgjegjësia për çdo akt është individuale, jo e një brezi të tërë dhe as e çdo njeriu që doli për të shprehur një shqetësim.
Një shoqëri e shëndetshme nuk matet vetëm nga mënyra si proteston, por edhe nga aftësia për të dëgjuar. Protestuesit kanë përgjegjësinë të mos e lënë kauzën e tyre peng të dhunës. Ata që qeverisin kanë përgjegjësinë të mos e lënë zërin e qytetarëve të përplaset pafundësisht me mure të heshtura.
Dhunës duhet t’i themi JO. Por edhe heshtjes përballë zërit të qytetarëve duhet t’i japim fund. Sepse njerëzit mund të jenë në anë të ndryshme të një përplasjeje, por nuk duhet të harrojnë kurrë se janë në të njëjtën anë të njerëzimit.









