FSHF ka publikuar vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pas ndeshjeve në mesjavë. Ilir Daja është dënuar me 5 ndeshje pezullim. Në anën tjetër Ndong i Tiranës e ka pësuar me dy ndeshje pas bërrylit ndaj lojtarit të Dinamos. Tiranës i është thënë afat 30 ditë pasi Qendrim Ismajli ka fituar të drejtën për të marrë detyrimet e prapambetura nga kryeqytetasit.
Vendimi nr. 14 i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 30.10.2026
AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Zyrtari i AF Elbasani, Armand Memetaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Zyrtari i FC Dinamo City, Ilir Daja, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 13/2 dhe 14/1/j të KDE, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Zyrtari i FC Dinamo City, Mark Dodaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i KF Tirana, Owono Nchama Basilio Ndong, për sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/b të KDE dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
KF Pogradeci, për dështim në garantimin e rendit dhe sigurisë në ndeshje, duke lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në fushën e lojës, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 8/1, 17/1, 17/2/a dhe 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Në bazë të nenit 76/1/a të KDE, gjoba aplikohet në masën 50%.
Zyrtari i KF Pogradeci, Xhuliano Topuzi, për kërcënim ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/k të KDE, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga të gjitha veprimtaritë e organizuara nga FSHF. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.
Flamurtari FC, për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 8/1, 17/1, dhe 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. Në bazë të nenit 76/1/a të KDE, gjoba aplikohet në masën 50%.
Zyrtari i Flamurtari FC, Shkëlqim Ramaj, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 13/2 dhe 14/1/j të KDE, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Zyrtari i Flamurtari FC, Josel Shtrepi, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
KF Bylis, për mos respektimin e përgjegjësive dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa në fillimin e lojës, në bazë të nenit 8/1, të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
Pranimin e kërkesës së kërkuesit Qendrim Ismaili. Klubi i Futbollit Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 8, datë 02.04.2026 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, në bazë të nenit 29/1/b të KDE, Klubit të Futbollit Tirana i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.








