Kolian Ilia, 34-vjeç, është njëri prej tre personave të arrestuar në Greqi, të dyshuar për përfshirjen në shpërthimin e fuqishëm që tronditi lagjen Plaka të Athinës më 25 shtator, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre edhe tre me origjinë shqiptare.
Ilia është arrestuar së bashku me dy shtetas grekë, përkatësisht 37 dhe 55 vjeç. Sipas hetimeve të autoriteteve greke, tre të dyshuarit dyshohet se kanë ndërhyrë në sistemin e furnizimit me gaz të një ndërtese, me qëllim vjedhjen e tubave të bakrit.
Kjo ndërhyrje dyshohet se ka dëmtuar tubacionin, duke shkaktuar rrjedhjen e gazit natyror, i cili është grumbulluar brenda godinës dhe ka shpërthyer disa orë më vonë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 25 shtatorit, në rrugën Lysikratous, në zonën e Plakës në Athinë. Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi shembjen e ndërtesës dhe la pas gjashtë viktima.
Gjatë ditës së sotme, tre të arrestuarit pritet të dalin përpara gjykatës, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj tyre. Ata përballen me akuza të rënda, mes të cilave zjarrvënie, shkaktim të shpërthimit me pasoja fatale dhe vrasje me dashje.
Mes gjashtë viktimave të tragjedisë ishin edhe tre shtetas me origjinë shqiptare dhe shtetësi amerikane, Florin Hoxha, Florida Hoxha dhe Eris Cani.









