Këshilli Bashkiak i Sarandës ka kundërshtuar njëzëri kërkesën e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Rajoni Sarandë për rritjen e tarifave të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve. Propozimi parashikonte rritjen e çmimit të ujit nga 60 lekë për metër kub, sa është aktualisht, në 65 lekë për metër kub, pa përfshirë TVSH-në.
Gjatë shqyrtimit të kërkesës u evidentua edhe një mospërputhje në dokumentacionin e paraqitur nga shoqëria. Ndërsa kërkesa i ishte drejtuar Këshillit Bashkiak si një çështje për diskutimin e tarifave të reja, në përmbajtjen e dokumentit kërkohej miratimi i tyre.
Qëndrimi kundër rritjes së tarifave u bë i qartë që në nisje të mbledhjes nga këshilltarët e majtë. Ata u bënë thirrje të pranishmëve që të mos largoheshin nga salla, me qëllim ruajtjen e kuorumit të nevojshëm për vijimin e mbledhjes dhe marrjen e një vendimi kundër kërkesës së ujësjellësit. Kjo, pasi grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike mungonte në bllok.
Përveç këshilltarëve të majtë, në mbledhje ishin të pranishëm edhe disa këshilltarë të pavarur, si dhe përfaqësues të partive të vogla.
Në argumentet e paraqitura gjatë diskutimeve, këshilltarët vunë në dukje se Saranda, Ksamili dhe zonat përreth vijojnë të përballen me furnizim të kufizuar me ujë, vetëm për disa orë në ditë. Problematika bëhet edhe më e rëndë gjatë sezonit veror, kur mungesat e theksuara të ujit i detyrojnë banorët dhe bizneset të gjejnë alternativa të tjera furnizimi, duke përballuar edhe kosto shtesë.
Në këto kushte, këshilltarët e konsideruan të paargumentuar kërkesën për rritjen e çmimit të ujit, ndërkohë që shërbimi vijon të ofrohet me kufizime të konsiderueshme dhe nuk garanton furnizim të rregullt për qytetarët.
Në përfundim të diskutimeve, të gjithë këshilltarët e pranishëm mbështetën dërgimin e një përgjigjeje zyrtare refuzuese ndaj Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Rajoni Sarandë, duke kundërshtuar kështu rritjen e propozuar të tarifave të ujit dhe kanalizimeve.









