Shpresat për rihapjen e Lotarisë Amerikane (Green Card) për vitin 2027 janë zbehur sërish. Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë në Shtetet e Bashkuara ka bllokuar përkohësisht vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kishte urdhëruar administratën amerikane të rihapte regjistrimet për programin e vizave të diversitetit.
Vendimi, i marrë më 29 tetor, i jep mundësi administratës së presidentit Donald Trump të mbajë të pezulluar programin, ndërkohë që vijon shqyrtimi i ankimit të paraqitur prej saj.
Megjithatë, Gjykata e Apelit nuk e ka zgjidhur përfundimisht çështjen dhe as nuk ka miratuar vendimin e Departamentit të Shtetit për të mos hapur regjistrimet. Në argumentimin e saj, gjykata vlerësoi se subjekti që kishte ngritur padinë, një studio ligjore e specializuar në emigracion, nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për të kundërshtuar vendimin.
Çështja nisi pas padisë së studios ligjore Red Eagle Law, e cila kërkoi që Departamenti i Shtetit të detyrohej të hapte regjistrimet për programin DV-2027.
Më herët, më 14 tetor, gjyqtarja federale Jinsook Ohta kishte vendosur në favor të paditësit, duke urdhëruar autoritetet amerikane të shpallnin periudhën e regjistrimit deri më 29 tetor dhe ta hapnin atë më 1 nëntor.
Lotaria Amerikane, e njohur zyrtarisht si Diversity Visa Program, parashikon shpërndarjen e deri në 55 mijë vizave çdo vit për shtetasit e vendeve me nivele të ulëta emigrimi drejt Shteteve të Bashkuara.
Për momentin, regjistrimet për programin DV-2027 mbeten të mbyllura dhe autoritetet nuk kanë shpallur një datë të re për hapjen e aplikimeve.
Ndërkohë, procesi gjyqësor pritet të vijojë në Gjykatën e Apelit, duke lënë ende të paqartë se kur do të mund të rifillojnë regjistrimet për Lotarinë Amerikane të vitit 2027.









