Një tjetër situatë absurde është shënuar ditën e sotme në burgun e Fierit, aty ku prej tre ditësh është transferuar kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Avokati Plarent Ndreca nuk është lejuar të takojë Veliajn, edhe pse ligji shqiptar parashikon dhe garanton shprehimisht të drejtën e avokatit për t’u takuar me klientin e tij në çdo kohë.
Për këtë arsye, mësohet se Ndreca është duke kryer në këto momente një kallëzim penal në Prokurorinë e Fierit për shpërdorim detyre ndaj të gjithë punonjësve përgjegjës për pengimin e ushtrimit të detyrës së tij si avokat dhe ndalimin për t’u takuar me Veliajn.
Gjithashtu, ai i ka drejtuar një letër drejtuesit të institucionit:
Drejtor,
Është hera e dytë që përsëritet e njëjta situatë. Edhe sot po pengohem të hyj në institucion dhe të takohem me klientin tim.
Po ju rikujtoj edhe një herë se neni 51 i ligjit parashikon shprehimisht të drejtën e avokatit për të takuar klientin e tij në çdo kohë.
Pengimi i ushtrimit të detyrës sime si mbrojtës cenon drejtpërdrejt të drejtat kushtetuese të klientit tim sjell përgjegjësi penale për personat përgjegjës, përfshirë veprën e shpërdorimit të detyrës.
Nuk kam ardhur këtu për të përshkallëzuar situatën, për ta bërë publike apo për ta kthyer në çështje penale. Kam ardhur vetëm për të ushtruar detyrën time si avokat. Por përsëritja e kësaj pengese po më detyron të ndërmarr veprime ligjore.
Ju kërkoj të ndërhyni menjëherë dhe të garantoni zbatimin e ligjit!
Në të kundërt, do të detyrohem t’i drejtohem oficerit të policisë gjyqësore në shërbim për të paraqitur kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj të gjithë punonjësve përgjegjës për pengimin e ushtrimit të detyrës sime.
Respektimi i ligjit nuk është çështje vullneti apo diskrecioni të punonjësve të institucionit. Është detyrim!









