Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Zyra Arsimore Vendore Gjirokastër me rastin e Ditës së Etikës në Shkolla, ku nxënës dhe mësues përcollën mesazhe për respektin, mirësinë, tolerancën dhe bashkëjetesën me mendimin ndryshe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kumbaro ndau momente nga ky organizim, duke vënë theksin te rëndësia e edukimit të brezave të rinj me kulturën e respektit dhe përgjegjësinë për të dëgjuar e pranuar mendimin ndryshe.
Sipas ministres, etika në shkollë nuk lidhet vetëm me rregullat e sjelljes, por edhe me aftësinë për të argumentuar, për të respektuar mendimet e të tjerëve dhe për të zhvilluar diskutime mbi bazën e argumentit dhe jo të kundërshtimit pa arsye.
“Etika është edhe ndërgjegjësimi për përgjegjësinë e përbashkët që kemi për të respektuar shprehjen e mendimit ndryshe, por edhe për të kultivuar forcën e argumentit në çdo diskutim, sepse pikërisht këtë mësojmë në shkollat tona”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja vlerësoi veçanërisht mesazhet e përcjella nga nxënësit, të cilët përmes fjalëve dhe simboleve të thjeshta sollën në vëmendje rëndësinë e respektit dhe marrëdhënieve të shëndetshme me njëri-tjetrin, edhe kur qëndrimet dhe mendimet janë të ndryshme.
Në përfundim, Kumbaro shprehu mirënjohjen për mësuesit dhe nxënësit pjesëmarrës, duke nënvizuar se kultura e respektit nuk ndërtohet vetëm përmes mësimeve teorike, por mbi të gjitha përmes shembullit të përditshëm që japin të rriturit dhe vetë komuniteti shkollor.









