Një ujësjellës ku janë investuar miliona lekë, por që nuk është funksional, është ndër gjetjet më shqetësuese të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Bashkinë Tepelenë.
Sipas raportit përfundimtar të auditimit, punimet për rrjetin e furnizimit me ujë të fshatrave Peshtan dhe Mezhgoran janë ndryshuar gjatë zbatimit të projektit, pas kundërshtimeve të banorëve për kalimin e tubacionit në prona private.
Për pasojë, është realizuar vetëm një pjesë e rrjetit, ndërsa vepra e marrjes së ujit dhe linja drejt stacionit të pompimit janë shtyrë për një fazë tjetër. KLSH konstaton se ujësjellësi nuk është funksional dhe se investimi nuk ka përmbushur qëllimin për të cilin u tenderua.
Audituesit e kanë vlerësuar shumën prej 63.99 milionë lekësh pa TVSH si shpenzim pa ekonomicitet, efikasitet dhe efektivitet. Kjo shumë nuk përfaqëson automatikisht dëm ekonomik, por fonde të shpenzuara pa arritur rezultatin e parashikuar.
Problemet nuk kufizohen vetëm te ujësjellësi. Në auditim janë evidentuar edhe 3.68 milionë lekë dëm ekonomik nga punime të pakryera, si dhe parregullsi në procedurat e prokurimit publik.
Në 5 nga 10 tenderat e audituar, sipas KLSH-së, operatorët e shpallur fitues nuk plotësonin kriteret e kërkuara të kualifikimit. Një tjetër problem lidhet me pasuritë publike: nga 2,996 asete të evidentuara, vetëm 216 rezultonin të regjistruara dhe të pajisura me certifikatë pronësie.
Gjetjet ngrenë pikëpyetje për mënyrën se si Bashkia Tepelenë planifikon investimet, kontrollon zbatimin e kontratave dhe administron pronat publike.
Rasti i ujësjellësit Peshtan–Mezhgoran është veçanërisht domethënës: fondet janë shpenzuar, por shërbimi për të cilin u krye investimi nuk është vënë në funksion sipas konstatimit të audituesve.









