Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro i është përgjigjur mesazhit të një studenti, i cili i ka dërguar një njoftim, ku jepet me qera një shtëpi 1+1, 40 mijë lekë të reja në muaj.
Studenti i shkruan ministres së ai detyrohet ta ndajë qeranë me 3 shokë të tjerë, për shkak të pamundësive dhe kostove të larta të jetesës.
Në përgjigjen e saj, ministrja Kumbaro tha se buxheti i vitit 2027 do të jetë buxheti social që do u vijë në ndihmë 5900 studentëve që janë në vështirësi ekonomike.
Kumbaro theksoi se mbështetja në bursën e studentëve do të rritet nga 10 mijë lekë në 25 mijë lekë të rinj, mbështetje e cila do të vijojë edhe gjatë ciklit të dytë të studimeve, master.
“Me bursën që ju merrni deri sot, 10 mijë lekë në muaj, e gjithë bursa të shkon për këtë qera. Kemi një ndryshim të madh në buxhetin e vitit 2027. Duke filluar nga janari, kjo bursë do jetë 25 mijë lekë. Do të ngelë mjaftueshëm pasi të paguash qeranë, për shpenzime të tjera. Duke filluar nga janari, për 5900 studentë që vijnë nga familje në nevojë, bursa do rritet. E njëjta bursë do vijojë edhe në master. Do jetë një buxhet social”, tha ndër të tjera ministrja Mirela Kumbaro.









