Horror në Ksamil. Maskat kanë dhunuar dhe grabitur një 23-vjeçar nga qyteza e Ksamilit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së premtes, rreth orës 07:30. Mësohet se tre persona të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë nga dera e pasme e vilës 4-she (përdoret si shtëpi pushimi gjatë sezonit veror), e cila ndodhet në rrugën që të çon te plazhi “Pema e Thatë”, pronë e familjes Lula, e cila prej shumë vitesh punon e jeton në Greqi. Në shkallë, në katin e dytë të vilës, grabitësit janë ndeshur me të riun Petro Lula, i cili në atë kohë do të nisej për në shkollë, pasi është student në Universitetin e Tiranës, filiali Sarandë, në vitin e parë në degën anglisht. Në përballjen e papritur me agresorët, i riu nuk ka mundur të bëjë dot asgjë për vetëmbrojtje. Ai është rrahur keqas e goditur me qytën e armës deri në gjakosje, dhe më pas është lidhur. Grabitësit i kanë marrë studentit çelësat e banesës dhe më pas kanë hyrë brenda.
Burime nga policia pohuan se autorët kanë marrë një sasi prej 700 eurosh në shtëpinë e Lulës, si dhe makinën “Benz”, me targa AA 322 DP që ndodhej në oborr dhe më pas janë larguar. Blutë të njoftuar në telefon nga vetë i dhunuari kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Gjithashtu, policia ka ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit. Ndërkaq, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. I dhunuari, Petro Lula, është marrë nga të afërmit e tij dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Sarandës. Ndërkohë që janë njoftuar edhe prindërit e tij në Greqi, të cilët janë nisur drejt Ksamilit.
FAMILJARËT E STUDENTIT
Pas ngjarjes “Gazeta Shqiptare” ishte në vilën ku ndodhi grabitja. Halim Ismaili, gjyshi i 23-vjeçarit Petro Lula (babai i të ëmës) tha se ishte shokuar nga ajo që i ndodhi nipit. “Unë jam gjyshi i djalit. Më njoftuan nga Saranda. Djali vete në shkollë, është në universitet. Ai fle në katin e tretë të shtëpisë së tij. Në orën 07:30, nipi ishte duke zbritur shkallët, kur u përball me grabitësit, të cilët e rrahën, e lidhën dhe e lanë ashtu të lidhur dhe më pas kanë kontrolluar e bastisur banesën. Nuk jam në gjendje të them se çfarë kanë marrë, deri edhe serverin e kamerave të shtëpisë. Djali rrinte vetëm në shtëpi, pasi ime bijë dhe dhëndri punojnë në Greqi. Kur më thanë për grabitjen, mendova se kishte vdekur. Ku nuk e kanë goditur dhe gjakosur. Po shyqyr që e lanë të gjallë. Nipi ka dy vjet që ka ardhur nga Greqia dhe nuk ka pasur hasmëri me asnjë person. Nuk kemi pasur asnjëherë probleme me askënd. Edhe makinën ia vodhën. Ma tmerruan nipin të këqijtë që rrojnë me vjedhje”, tha Halim Ismaili. Ndërkaq, i moshuari u bëri apel policisë dhe prokurorisë që të identifikojnë dhe të venë në pranga autorët. /gsh











