Në fund të vitit të kaluar qeveria shqiptare i dha 109 mijë euro dëmshpërblim familjes së Ziver Veizit nga Gjirokastra, i ekzekutuar më 21 janar 2011 përpara Kryeministrisë. Dëmshpërblimi i qeverisë vinte si ekzekutim i vendimit të Gjykatës së Strasburgut. Ndërkohë sot në 7 vjetorin e ngjarjes së rëndë, vazja e Ziver Veizit, Ana Veizi, është shprehur se ata presin drejtësinë dhe se dëmshpërblimi është një anë tjetër e çështjes. E pyetur nga Top Channel nëse mjafton shpërndarja e dëmshpërblimeve nga qeveria, Ana Veizi ka thënë:
“Nuk mjafton sigurisht sepse dëmshpërblimi është një anë tjetër ndërsa drejtësia është një anë tjetër. Kështu që mund të jetë një hap drejt drejtësisë, por nuk është drejtësia që ne presim”.
Ana Veizi, sot maturante, shpreson tek reforma në drejtësi dhe thotë se do të vazhdojë studimet për drejtësi.
“Me sa kam parë ende nuk është vendosur drejtësi. Megjithatë, unë vazhdoj të kem besim. Tani që është miratuar Reforma në Drejtësi kam një shpresë më shumë për të arritur qëllimin tonë. Dëmshpërblimet nuk mjaftojnë, sepse ato dhe drejtësia janë anë të ndryshme. Mund të jetë një hap drejt drejtësisë, por jo drejtësia që ne presim”, tha Ana Veizi gjatë intervistës për Top Channel.


















