Një ditë më parë Partia Demokratike në Gjirokastër festoi 27 vjetorin e themelimit të saj. Përtej anës ceremoniale që përkujton këtë ngjarje të rëndësishme për partinë e parë opozitare në vend, PD në Gjirokastër nuk është në ditët e saj më të mira. Kjo nuk lidhet vetëm me faktin se është një parti në opozitë dhe natyrshëm që elektorati është i prirur të shkojë drejt pushtetit, aty ku ndahet ‘tepsia’, nëse përdorim kështu metaforën e Ramës për pushtetin. PD në Gjirokastër ka probleme të brendshme, por pengesa më e madhe që po e rudh nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, është mungesa e hapjes dhe përfshirjes rreth saj të figurave të reja.
Sot ende pas shumë vitesh, në skalionin e parë të PD-së në Gjirokastër ka me shumicë njerëz që kanë qenë funskionarë të saj që prej viteve ’90 e deri në 2013, por mungojnë figura të reja, profesionistë të rinj apo edhe thjesht aktivistë nga radhët e studentëve ose gjimnazistëve. Kjo vihej re lehtësisht edhe në ceremoninë festive të organizuar një ditë më parë. Për fat të keq, të rinjtë numëroheshin me gishtat e dorës. Natyrisht që demokracia është përfshirje dhe jo përjashtim, prandaj PD s’mund të largojë nga radhët e saj ish funksionarët apo kontributorët ndër vite. Madje as Spiro Kserën, ish-ministrin e dënuar për korrupsion.
Por nevoja për njerëz të rinj dhe që s’kanë mbi supe mëkatet e qeverisjes 8-vjeçare të PD-së, është emergjente. Hapja ndaj të rinjve duhet të jetë prioritet më i madh sesa përpjekjet për të mos krijuar qejfmbetje tek një takëm njerëzish të cilët e kanë mbyllur me kohë ciklin e tyre në PD. Riciklimi i tyre në radhët e kësaj partie, vetëm sa thellon rrënimin e mëtejshëm të PD-së. Në zgjedhjet e qershorit 2017, kjo parti në qarkun Gjirokastër gati-gati u barazua me LSI-në. Diferenca mes tyre ishte shumë e vogël.
Përtej retorikës që bëhet për konsum publik, se rezultati ishte i deformuar nga blerja e votave apo paratë e drogës, e vërteta është se PD në Gjirokastër e ka të vështirë të ngjallë besim tek njerëzit. Kjo nuk ka të bëjë me faktin se problemet që shtron janë të gabuara, por sepse ata që i artikulojnë nuk kanë kredibilitet në publik. S’është këtu fjala për kryetarin Roland Bejko, i cili realisht ka bërë jo pak përpjekje për ta rimëkëmbur PD-në pas ‘shuplakës’ që mori në vitin 2013, por për shumë njerëz të tjerë që janë nëpër struktura këtu e kusur vite me radhë. Njerëz që më shumë kanë përfituar tendera e poste publike sesa realisht i kanë dhënë PD-së.
Bastionet nuk i rezistojnë kohës dhe këtë e kemi parë në shumë zona të tjera të vendit. Kjo vlen edhe për Gjirokastrën, që pavarësisht se konsiderohet një bastion i së majtës, nëse PD reformohet dhe hapet drejt të rinjve, rezultati mund të ndryshojë në favor të saj. Përveç hapjes drejt të rinjve dhe aneksimit të atyre që s’e kanë më besueshmërinë për të bërë opozitë, sot PD duhet të ‘luftojë’ edhe me një përceptim të krijuar mbase me pa të drejtë në Gjirokastër. Flitet për ‘lazaratizim’ të PD-së. Një perceptim gati racist, por që realisht është një pengesë për ta rritur këtë forcë politike. Jo pak njerëz në Gjirokastër mendojnë se PD-ja është sot një parti e lidhur më shumë me bastionin e saj, Lazaratin, sesa me pjesën tjetër të njerëzve. Ky perceptim mund të zhbëhet vetëm nëse do të ketë një proces hapje drejt të rinjve, jo domosdoshmërisht të rinj në moshë, por figura të reja të pakonsumuara që realisht duan të kontribuojnë në PD, jo vetëm për t’u bër drejtora sa herë që kjo parti vjen në pushtet. Kjo është e vetmja mundësi që PD-ja në Gjirokastër të ringrihet, duke u bërë një parti konkurruese me LSI-në dhe PS-në.
©ArgjiroLajm.net









