Shënjëstra e atentatit me tritol që tronditi Gjirokastrën është 34-vjeçari Gentjan Liti, banues në lagjen ‘Dunavati i dytë’. Ai ka mbetur i plagosur lehtë, duke i shpëtuar kështu atentatit të dytë që po i bëhet. Burime të ArgjiroLajm.net thonë se rreth pesë vjet më parë Litit i është bërë një tjetër atentat me tritol. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 8 korrik 2013. Lënda eksplozive ishte vendosur poshtë furgonit të tij, tip ‘Benz’ me targa GJ 8067 A, në pronësi të tij.
Në momentin e atentatit makina ishte parkuar pranë banesës së Litit. Tritoli ishte vendosur poshtë parafangos së pasagjerit. Si pasojë e shpërthimit, mjeti pësoi dëmtime në pjesën e përparme, ndërkohë që nuk pati dëmtime të shtëpive përreth. Ngjarja u hetua nga Prokuroria e Gjirokastrës, por nuk u mor vesh çfarë ndodhi më tej. Gentjan Liti është një kasap i njohur në qytetin e Gjirokastrës. Biznesi i tij është vendosur në zonën muzeale të qytetit.
Për atentatin e dytë që iu bë sonte, burime të ArgjiroLajm.net nga grupi hetimor thonë se dyshimet e para lidhen me aktivitetin e tij si tregtar, por nuk përjashtohen as konfliktet për çështje pronësie. Sidoqoftë ngjarja mbetet për t’u zbardhur nga Prokuroria e Gjirokastrës. Deri më tani s’ka asnjë të shoqëruar në komisariatin e policisë për këtë atentat.
©ArgjiroLajm.net








