Kryebashkiakja e Gjirokastrës Zamira Rami ka vendosur të shkarkojë tre administratorët e propozuar nga Partia Socialiste pas zgjedhjevet të vitit 2015. Është fjala për administratorin e Lazaratit, Mexhit Jupi; të Cepos, Leonard Mustafaraj dhe Picarit, Krenar Koshi. Por paraprakisht, mësohet se Rami i ka thirrur administratorët në zyrën e saj. Ajo i ka kërkuar atyre të japin dorëheqjen nga detyra që mbajnë prej korrikut të vitit 2015. Shpjegimi kanë qenë vetëm këto fjalë: “Ju lutem, duhet të më mirëkuptoni. Ka presion mbi mua, jam e detyruar të veproj kështu. Duhet të jepni dorëheqjen”. Por administratorët kanë refuzuar të veprojnë në këtë mënyrë, ndaj është marrë vendimi për shkarkimin e tyre. Presionet për të cilat kryebashkiakja Rami ka folur, vijnë normalisht nga LSI-ja dhe deputeti Vangjel Tavo.
Plani është i qartë. Me PS-në nuk ka lidh më asgjë, koalicioni është prishur më 25 qershor, prandaj nuk ka nevojë të vazhdohet më tej të mbahen në funksione publike njerëz të propozuar nga socialistët sikundër ishin tre administratorët e Lazaratit, Cepos dhe Picarit. Nga takimi që administratorët patën në zyrën e kryebashkiakes, ka edhe një detaj tjetër që nuk mund të anashkalohet. Frika e Zamira Ramit nga përgjimet. Jo më kot i ka kërkuar, të paktën njërit prej administratorëve, që celularin të mos e merrte në zyrën e saj.
Ajo i druhej ndonjë përgjimi të mundshëm të bisedës ku do të komunikonte kërkesën që administratorët të jepnin dorëheqjen. Për momentin nuk dihen ende tre administratorët e rinj që do të emërojë Rami në Lazarat, Cepo dhe Picar. Por është e sigurt se ata do të jenë njerëz të LSI-së, që kanë mbajtur më parë funksione në administratë para 25 qershorit, apo që kanë kontribuar në fushatën elektorale.
©ArgjiroLajm.net









