Emisioni investigativ Fiks Fare tregon skemën si rekrutohen vajzat shqiptare për shërbime seksuale në Europë.
Nëpërmjet telefonatave, kamerave të fshehta, bashkëpunëtorët e Fiksit biseduan me një vajzë, e cila kishte “punuar” në Spanjë. Në bisedë vajza tregoi rrugëtimin drejt Europës, akomodimin, klientelën, tutorët dhe gjithçka tjetër. Sipas saj, gjithçka është e organizuar, nga nisja në rrugë detare nga Vlora, kalimi në Itali, në qytetin e Xhenovës, e deri tek destinacioni; qyteza e Loretos, në Bilbao. Pas një lajmërimi punësimi onlinë në internet, në adresën “njoftime falas”, Fiks Fare gjen një lajmërim ku thuhet se “kërkohen vajza të paraqitshme me pagesë 3000 euro në muaj”. Vajzat duhet të kenë mbaruar të paktën gjimnazin, të jetë të moshës 20-30 vjeçe. Fiksi dërgoi një e-mail në adresën që kishte njoftimi ku dhamë edhe një numër telefoni. Pas disa ditësh, një djalë na shkruan në “whatsaap, me një numër telefoni spanjoll. Ai thotë se bëhet fjalë për punë në Europë, ku minimumi i fitimit është 3 mijë euro dhe puna është me klientë në shtëpi ose në klub. Sipas tij, kushtet e punës janë bukuria, paraqitja dhe sa punëtore duhet të jetë vajza.
Djali thotë se puna është në Spanjë ose në Francë, ndërsa kërkon moshën dhe përmasat e trupit. Madje, edhe një foto për paraqitjen. Bashkëpunëtorja e Fiks Fare i bën me dije tutorit se është 65 kilogramë, ndërsa këshilla e djalit është që të mos shëndoshemi më. Djali i thotë bashkëpunëtores se këto ditë do të nisen 3 vajza për në Spanjë, të cilat po prisnin që të nxirrnin pasaportat. Djali i jep edhe një numër telefoni të njërës prej vajzave që e ka bashkëpunëtore dhe që do të niste tre punëtoret e reja. Gazetaret e Fiks Fare kontaktojnë me numrin, ku nga ana tjetër është një vajzë. Pas një bisede, vajza lë një takim në qytetin e Vlorës.
Në bisedë e sipër, vajza thotë se bëhet fjalë për shërbime seksuale kundrejt pagesën. Sipas saj, fitimi është 50 me 50 % me djalin. Pasi tregon itinerarin, nga Vlora, Xhenova, Barcelona dhe në fund Bilbao, thotë se mund të rregullojë që të qëndrojë më shumë se 3 muaj, pasi ka njerëz në Portin e Vlorës. Ndërkohë, për shpenzimet e shtëpisë në Bilbao, thotë se ndahen mes vajzave, apo mbulohen nga djali. Sipas saj, pagesat janë të mira, ndërsa minimalja është 20 klientë në natë. Ndërkohë, me një klient qëndrohet nga 15-20 minuta. Vajza që bën ndërmjetësen mes tutorit dhe klientëve, thotë se djali ka një shtëpi me qira, ka një sekretare që kontakton me klientët. Ndërkohë, pagesat variojnë nga 100-200 euro. Sipas vajzës, puna është në lokal ose në shtëpi. Në lokal fitimi është më i ulët dhe duhet të paguash edhe hotelin që është sipër lokalit. Në fund thotë se fitimi me tutorin ndahet përgjysmë.









