Aksi rrugor Mallakaster – Kakavije, do ti nënshtrohet mirëmbajtjes së përhershme me qëllim ofrimin e sigurisë dhe standardeve më të mira rrugore. Ky segment është një nga akset kryesore rrugore në rajonin jugor Vlorë-Gjirokastër, i cili ka një gjatësi totale prej 82.9 km dhe lidh Mallakastrën me pikën kufitare të Kakavijës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se, trafiku në këtë segment konsiderohet i moderuar. Trotuari që përshkon këtë rrugë është në gjendje të mirë por kërkon mirëmbajtje periodike. Gjurma e këtij segmenti kalon në bashkitë Memaliaj, Tepelenë dhe Gjirokastër, dhe terreni është kryesisht i sheshtë me fusha bujqësore dhe zona kodrinore, që favorizon kryerjen e punimeve brenda afateve dhe standardeve. Sipas ARRSH-së, ky segment është një ndër rrugët e përfshira në Planin e Menaxhimit Social dhe Mjedisor në rajonin jugor Vlorë-Gjirokastër, me vlerën e 13.7 milion euro, financuar nga Banka Botërore.
Plani i Menaxhimit Social dhe Mjedisor përfshin të gjitha punët fizike, aktivitetet dhe shërbimet e nevojshme për t’i sjellë rrugët në nivelin e shërbimit të kërkuar dhe për t’i mirëmbajtur e menaxhuar përgjatë gjithë kohëzgjatjes 5-vjeçare të kontratës. Në total janë 8 akse ku parashikohet të ndërhyhet në tre kategori kryesore, punime rehabilitimi ku futet pjesa e asfaltimit, muret mbajtëse si dhe sinjalistika e nevojshme. Ndërkohë që do të ndërmerren edhe shërbime të performancës së rrjetit rrugor, të cilat konsistojnë në punime dhe shërbime të mirëmbajtjes rutinë si dhe në punime të emergjencës që kanë të bëjnë me aktivitetet e nevojshme për rivendosjen e rrugëve dhe rehabilitimin e strukturës së dëmtuar si pasojë e ndonjë fenomeni natyror.










