Sonte në mbrëmje prefekti i qarkut, Astrit Aliaj thirri një tjetër mbledhje të shtabit të emergjencave për të diskutuar situatën e krijuar në Gjirokastër pas përmbytjeve të fundit. Të pranishëm ishin edhe zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, si dhe deputeti i PS-së, Flamur Golemi. Por ajo që ra na sy ishte mungesa e kryebashkiakes Zamira Rami. Bashkia Gjirokastër përfaqësohej në këtë mbledhje me nënkryetarin Vangje Muço. Nuk dihen arsyet përse Rami refuzoi të shkonte në këtë mbledhje. Më herët gjatë pasdites, ajo kishte nënshkruar një kërkesë për qeverinë shqiptare të cilës i kërkon të shpallë gjendjen e pjesshme të emergjencës në Gjirokastër, çka do të thotë që situata të kalojë nën menaxhim nga qeveria, e cila do të mbulonte edhe trajtimin financiar të kësaj emergjence. Por deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga qeveria, nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e Bashkisë Gjirokastër. Rami argumentonte se Bashkia Gjirokastër nuk i ka mundësitë për të trajtuar gjendjen e krijuar në lagjen ‘Kodra e Shtufit’ dhe jo vetëm.
©ArgjiroLajm.net