Situata emergjente e krijuar në lagjen ‘Kodra e Shtufit’ ku rrezikon të shembet një pallat 8 katësh dhe dy vila të tjera, ka vënë në lëvizje edhe institucionet hetimore në Gjirokastër. Burime të rezervuara i thanë ArgjiroLajm.net se Policia dhe Prokuroria do të kryejnë një hetim të dosjes së plotë të ndërtimit të këtyre objekteve. Pritet që të merren në pyetje edhe përfaqësues të kompanisë e cila ka ndërtuar objektet. Dyshimet janë se ka abuzim, duke filluar që nga leja e ndërtimit dhe deri tek zbatimi i parametrave të sigurisë në ndërtim. Sidoqoftë kjo mbetet për t’u parë në vijim të hetimit. Pallati është ndërtuar më shumë se 10 vjet më parë. Aktualisht 24 familje janë evakuuar. Ata janë strehuar kryesisht tek të afërmit, si dhe tek konvikti i shkollës pedagogjike.
©ArgjiroLajm.net