Futbollisti 21-vjeçar shqiptar, Aldi Shpijati, është plagosur rëndë të dielën në mëngjes nga dy persona në Skandiano të Italisë. Shokët e futbollistit kanë lajmëruar policinë për ngjarjen në mënyrë që ta transportonin në spital, pas një zënke që kishte ndodhur në parking.
Mediat italiane raportojnë se Shpijati është qëlluar disa herë me thikë në gjoks nga dy persona, për arsye ende të pazbuluara. 21-vjeçari është transportuar me urgjencë në spital dhe i është nënshtruar dy operacioneve, ndërsa tani gjendet në reanimacion.
Policia ka identifikuar autorët e agresionit, dy italianë të moshës 30 dhe 36 vjeç.
Shqiptari njihej si një person i qetë dhe meqënëse në klubin ku aktivizohet, Arçetana, është pjesë e futbollit amator, punonte në një piceri për të siguruar jetesën.
“Nuk flet shumë për veten, punon shumë. Në ndeshjet e të dielës vjen me vrap nga piceria dhe pas tyre shkon përsëri në punë”, tregoi presidenti i Arçetana, Aleks Spiaxhari, për futbollistin shqiptar i cili luan si sulmues dhe ishte në pritje të një ftese nga klubet në kategoritë më të larta.
“Nuk i japim shpjegim se çfarë ka ndodhur, por e rëndësishme është që ai të bëhet mirë sa më shpejt”.









