Tre të mitur nga Tepelena: Deni 5 vjeç, Jonela 3 vjeçe dhe Rafaela 11 muajshe pasi humbën nënën po braktisen edhe nga babi i tyre. Drama e tre të vogëlusheve nisi më 17 gusht të vitit 2017, kur prindërve të tyre, Bledar dhe Elvana Nanaj, iu refuzua azili ekonomik pas tre vitesh emigrimi në Bon të Gjermanisë. 31-vjeçarja, e cila sapo kishte sjellë në jetë fëmijën e tretë, Rafaelën, u zhyt në depresion. Duke mos e duruar dot idenë e riatdhesimit dhe kthimit në kushtet e vështira ku ata jetonin më parë në Tepelenë, ajo vendosi t’i japë fund jetës duke u vetëvarur.
38-vjecari, i detyruar nga rrethanat, pasi kryen të gjitha procedurat për të sjellë trupin e bashkëshortes në vendlindje, kthehet edhe vetë me tre fëmijët. Fillimisht janë të afërmit ata që e ndihmojnë për tu kujdesur për të miturit, sidomos për vajzën e sapolindur të cilën e mori nën përkujdesje nusja e kushëririt të tij, Merita Nanaj. Megjithatë me kalimin e kohës kushtet e vështira ekonomike në të cilat jetonte Bledari i përkeqësuan gjërat. Ai është i detyruar që t’i braktisë të tre fëmijët duke mos qenë në gjendje që t’i rrisë vetë.
“Jetojmë në mjerim dhe mungesa e ndihmës nga ana e shtetit është zero…Punë nuk ka, nuk di çfarë të bëj”, shprehet 38-vjeçari, që fillimisht do t’i duhet të çojë në brefotrof Rafaelën e vogël vetëm 11 muajshe. Por edhe dy të miturit e tjerë shumë shpejt kanë për të patur fatin e motrës së tyre. “Jam i detyruar t’i lë, me mua po vuajnë për bukën e gojës. Ime shoqe e dinte këtë gjë ndaj edhe i dha fund jetës. Ajo shpëtoi, ndërsa unë?!”, shton mes lotësh Bledari i dorëzuar tashmë.