Ndryshime në Policinë e shtetit shqiptar. Aida Hajnaj që ishte në krye të drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Shqipëri, do të marrë një tjetër post të rëndësishëm, atë të numri dy të Policisë së Shtetit. Aida Hajnaj do të jetë zëvendëse e Ardi Veliut, që u zgjodh pak kohë më parë në krye të Policisë së Shtetit. Shaban Nexhi emërohet drejtor i Kufirit dhe Migracionit. Enkelejda Tosku do të jetë drejtoresha e re e Kufirit dhe Migracionit në Tiranë.
Kastriot Skënderi emërohet drejtor i Policisë së Tiranës. Ai më parë mbante detyrën e Drejtorit të Kufirit në Tiranë. Skënderi ka qenë më parë drejtori i policisë së Gjirokastrës dhe Vlorës. Ai ka drejtuar policinë e Gjirokastrës në vitin 2015, në kohën e ndërhyrjes në Lazarat. Ndërkohë Rebani Jaupi që lëviz nga posti i zv.drejtorit, merr një tjetër detyrë, atë të drejtorit të menaxhimit të të Dhënave në Polici. Po ashtu në ndryshimet që strukturat drejtuese të policisë së shtetit po pësojnë, Altin Qato emërohet përfundimisht drejtor i Policisë së Elbasanit, ku kaloi pak kohë më parë si i komanduar në një kohë kur situata e rendit në këtë qytet ishte mjaft e rënduar. Bledar Çeliku emërohet drejtor i Njesësisë së Task-forcës, dhe Gjovalin Loka, nga drejtor i Policisë në Shkodë, emërohet drejtor i Rendit në Policinë e Shtetit.