Numri i lindjeve në Shqipëri është regjistruar në rënie edhe për tremujorin e katërt të vitit 2017. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 7 931 lindje, duke shënuar një rënie me 2.35% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Ndërkohë, rënie ka shënuar edhe numri i vdekjeve me 6.9% krahasuar me T4 2016 dhe rezulton 5 408. Ndërkohë, referuar të dhënave të INSTAT, shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar është 2 523. Ky tregues demografik ka shënuar një rënie me 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Gjatë kësaj periudhe, shtesa më e lartë e popullsisë për 12 qarqet e vendit është shënuar në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve është më i lartë, 1 191 më shumë se sa vdekje. Ndërkohë, dy qarqe të tjera të cilat kanë rezultuar me shtesë të lartë natyrore janë ai i Durrësit dhe ai i Dibrës, respektivisht 375 dhe 257 lindje më shumë se sa vdekje. Ndërsa, vlerat më negative sa i takon këtij treguesi janë regjistruar në qarkun e Gjirokastrës dhe Korçës. Në qarkun e Gjirokastrës, sipas të dhënave numri i vdekjeve tejkalon me 41 numrin e lindjeve, të cilat shënuan një rënie me 6% krahasuar me T4 2016, duke regjistruar 158 lindje. Vetëm disa ditë më parë INSTAT publikoi të dhëna alarmante për tkurrjen e popullsisë në këtë qark, i cili gjatë vitit 2017 shënoi një rënie të popullsisë me 4.7%.
Ndërkohë, qarku i Tiranës regjistron edhe numrin më të madh të lindjeve, me 2 529, duke shënuar kështu një rritje me 2.8% krahasuar me po të njëjtën periudhë të vitit 2016, shkruan “Scan”. Referuar të dhënave, për këtë tremujor janë shtatë qarqe të vendit të cilat kanë shënuar rënie krahasuar me tremujorin e katërt 2016, ku kryeson qarku i Elbasanit me 15% dhe ai i Beratit me 13.7%. Sa i takon numrit të vdekjeve, kryeson qarku i Tiranës me 1338, duke shënuar një rënie me 7.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Ndërsa, qarku ku është regjistruar numri më i ulët i vdekjeve është i ai Kukësit me 142, që krahasuar me T4 2016, ka shënuar një rritje me 0.7%. Ndërkohë, rënia më e madhe e numrit të vdekjeve është shënuar në qarkun e Dibrës me 41.9%, pasuar nga ai i Beratit me 15.9%, qarku i Durrësit me 8.3% dhe ai i Fierit me 8.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.