Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të enjten ka folur për zonat më të mëdha kriminale në vend, ku Policia e Shtetit ka skeduar bandat kryesore kriminale. Xhafaj theksoi në studion e emisionit ‘Opinion’, se në vendin tonë ushtrojnë aktivitete kriminale 40 grupe, kryesisht të bazuara tek vjedhjet dhe trafiqet, e deri te pengmarrja dhe vrasjet.
Ai tregoi se është realizuar një raport voluminoz, që ka skicuar profilin e këtyre bandave kriminale, si dhe harten e veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri. Në lidhje me zonat kriminale, Xhafaj tha se Durrësi konsiderohet një zonë e nxehtë për shkak të pozitës gjeografike dhe influencës që i sjell porti më i madh i vendit. Pastaj, situata nuk është ndryshe në qarqet Vlorë, Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Gjirokastër.