Sokol Luke, një 60-vjeçar nga Gjirokastra u nda nga jeta fundjavën që shkoi pasi vuante prej kohësh nga diabeti. Ne nuk do t’i shkruanim këto radhë për të, nëse ai do të ishte thjesht një prej mijëra diabetikëve që janë sot në Shqipëri. Vjeshtën e vitit që shkoi, Luke bëri një apel publik për ndihmë nëpërmjet televizionit News 24. Ai kërkonte rreth 3 mijë euro për të vendosur një protezë në njërën prej këmbëve që mjekët ia prenë për shkak të sëmundjes. Pamundësia për të lëvizur e detyroi atë të braktiste punën. Të vetmet të ardhura që kishte ishin pagesa e invaliditetit dhe rroga e bashkëshortes si sanitare, por ato nuk i mjaftonin sepse i shpenzonte të gjitha për ilaçe. Lajmin për ndarjen nga jeta e njofton vetë gazetarja Brikena Metaj, e cila solli në vëmendje të publikut historinë e tij. Ajo shkruan se Sokol Luke vdiq papritur, pa mundur t’i plotësohet as dëshira e tij për një protezë me të cilën të lëvizte. Ndoshta dhe indiferenca tonë si shoqëri, dhe sidomos indiferenca shtetërore që nuk iu përgjigj thirrjes së tij për ndihmë, ia përshpejtoi rrugën drejt vdekjes.
©ArgjiroLajm.net