Raportimi i ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në Komisionin e Edukimit u shoqërua me debate të forta mes saj dhe kryetares së këtij Komisioni, Albana Vokshi.
“A e ndieni veten përgjegjëse që po shkatërrohen monumentet e kulturës? Nga prezantimi doli që është faji i natyrës”, iu drejtua Vokshi ministres Kumbaro.
“Në lidhje me objektet që në 3-4 shkurt pësuan dëme, ura e Hoshtevës në Zagori, Drejtoria Rajonale e Gjirokastrës kishte evidentuar problematika në këtë urë. Është bërë një evidentim i detajuar i situatës. Prurjet e ujit në këtë periudhë të vitit janë të shumta dhe terreni është i paaksesueshëm në këtë zonë dhe ishte e pamundur që ndërhyrjet të bëheshin në këtë periudhë të vitit. Ekspertët konstatuan se ndërhyrjet duhet të bëheshin në një moment tjetër”, deklaroi ministrja Mirela Kumbaro.
Raportimi i Ministres është shoqëruar me ndërhyrje dhe akuza nga deputetët e opozitës për shkak se Ministrja e Kulturës pranoi se ndodhen 219 Monumente Kulture në rrezik shembje.
Kumbaro: 106 objekte nuk ekzistonin fare, ndërkohë që ishin në listë 52 plotësisht të shkatërruar, 219 të konsideruara me risk. Pjesa tjetër të rikuperusheshëm, me problematika të ndryshme.
Kohët e fundit janë dëmtuar rëndë urat e Orgockës e të Hoshtevës dhe varret e Selcës të gjitha të shpallura Monumente Kulture. Deputetët e opozitës kanë bërë përgjegjëse Kumbaron që nuk ka ndërhyrë në momentin e duhur, edhe pse Ministrja deklaroi se për vitin 2016-2017 janë investuar 15 milionë lekë të reja.
Kumbaro: Ekspertët thonë që së pari mund të jetë konsolidimi dhe restaurimi i rrënojave që kanë mbetur në vend. Është një alternativë dhe që është opsion i zakonshëm në jetën e monumenteve, gjithmonë konservohet ajo që mbetet.
Debatet e kanë risjellë vëmendjen tek kalaja e Gjirokastrës për të cilën opozita ka akuzuar Ministren se e ka kthyer si qyteti i Alepos për shkak të plasaritjeve të mureve.
Shehu: Gjirokastrën ta shikosh, fotot i keni, nuk kam nevojë t’i hap sot, i publikova. Duket si Aleppo pas luftës.
Kumbaro: Ne kemi arritur të fusim në programin e Bankës Botërore projektin ‘Shtegu i Ali Pashait dhe Stabilizimi i Skarpateve’ pranë Kalasë së Gjirokastrës me një vlerë të parashikuar të investimit 1.600.000 euro.