Neglizhenca mund të ketë sjellë vdekjen e 10-vjeçarit në Tepelenë. Ky fakt pranohet nga vetë babai i të miturit i cili deklaroi pas ngjarjes se pas mjekimit, doktorët e spitalit të Tepelenës i këshilluan ta çonte në Gjirokastër për trajtim më të specializuar, këshillë e cila nuk u zbatua.
Një ditë më parë ai tregon se e kishte dërguar në spital pasi kishte temperaturë të lartë dhe pas injektimeve të mjekëve është qetësuar.
Mjekët e Tepelenës i kanë drejtuar prindërit drejt spitalit të Gjirokastrës pasi nuk ka mjek pediatër në Tepelenë por prindërit e kanë dërguar në shtëpi.
“Prej një viti e gjysmë fëmija vuante nga migrena. Ne e çuam me temperaturë 39 në spital, ata i bënë një gjilpërë dhe pastaj i zbriti në 36 gradë. Mjekët e spitalit të Tepelenës më thanë ta dërgoj në Gjirokastër por unë nuk e çova. Nuk e çova sepse ai u bë më mirë. Filloi të më fliste. Nga ora 4 e mëngjesit sot ai ishte shumë sëmurë dhe tek shkallët më vdiq. Nuk arrita ta çoj deri në spital. Nuk kanë faj mjekët”, tha babai.