Prefeketi i Gjirokastrës, Astrit Aliaj zhvilloi të martën një mbledhje me të gjithë krerët e bashkive të qarkut dhe drejtuesit e institucioneve të rëndësishme, përfshi gjithashtu edhe rektorin e Universitetit ‘Eqrem Çabej’. Bashkitë dhe institucionet e tjera duhet të përfaqësoheshin me titullarët e tyre. Kjo ishte kërkesa e prerë e prefektit Aliaj, ndërsa mbledhja u zhvillua pa praninë e mediave. Ndonëse ishte thjesht një prej atyre mbledhjeve ku siç ndodh rëndom të gjithë bien dakord me njëri-tjetrin dhe japin mend se duhet bërë ajo e duhet bërë kjo, në fakt mbledhja prodhoi një ngjarje tjetër që ilustron edhe njëherë atë për të cilën ne kemi raportuar kohët e fundit; konfliktin mes kryebashkiakes Zamira Rami dhe prefektit Astrit Aliaj. Po çfarë ndodhi konkretisht? Zamira Rami nuk kishte shkuar në mbledhjen e thirrur nga Aliaj, edhe pse ai kishte kërkuar prezencën e saj si titullare e Bashkisë Gjirokastër. Ndërkohë Rami kishte dërguar sërish si përfaqësues të bashkisë, nënkryetarin Vangjel Muço.
Ky i fundit e ka zëvendësuar Ramin pothuajse në të gjitha takimet publike pas emergjencës së krijuar në lagjen ‘Kodra e Shtufit’. Por sapo Vangjel Muço hyri në mbledhje, prefekti Aliaj ka ndërhyrë duke i bërë me dije se ai kishte thirrur Zamira Ramin. Rrjedhimisht Muço nuk mund të merrte pjesë në mbledhje. Dhe kështu ndodhi në fakt. Nënkryetari i Bashkisë Gjirokastër ka dalë nga salla e mbledhjes. Por Vangjel Muço nuk ishte i vetmi që prefekti Astrit Aliaj refuzoi në atë takim. Burime të ArgjiroLajm.net nga brenda takimit, thonë se Aliaj nuk lejoi në mbledhje as përfaqësuesit e Drejtorisë Arsimore Rajonale, të cilët ishin dërguar nga Lindita Rova. Prefekti kërkonte edhe në këtë rast titullarin e institucionit, drejtoreshën Lindita Rova. Nëse për rastin e Rovës mungesa në mbledhje mund të ketë qenë thjesht një neglizhencë e saj, për Zamira Ramin nuk mund të jetë rastësi që për të disatën herë ajo mungon në mbledhjet e prefektit, duke e deleguar përfaqësimin te nënkryetari Vangjel Muço. Zamira Rami thjesht po i bën karshillëk Astrit Aliajt dhe tenton të zhvlerësojë autoritetin e tij. Ajo po i kthen atij ‘reston’ për përplasjen që ndodhi gjatë emergjencës në lagjen ‘Kodra e Shtufit’. Prefekti u kishte thënë banorëve të pallatit në rrezik se Zamira Rami duhet të japë dorëheqjen nëse ajo nuk i del për zot situatës së krijuar.
Kjo u bë publike në media nga vetë banorët e atij pallati, të cilët endeshin sa në zyrën e Zamira Ramit te zyra e Astrit Aliajt për të kërkuar zgjidhje. Kërkesa e Astrit Aliajt ishte poshtërim për Zamira Ramin dhe autoritetin e saj si e zgjedhur me votë nga qytetarët. Deri më tani nuk kishte guxuar askush që t’i kërkonte asaj dorëheqjen si kryebashkiake, qoftë dhe për një situatë emergjente si ajo te ‘Kodra e Shtufit’. Këtu zë fill konflikti i saj me prefektin e qarkut Gjirokastër, konflikt i cili me sa duket nuk është fashitur ende. U bë kohë që s’ka asnjë dalje publike të Zamira Ramit dhe Astrit Aliajt dhe në çdo rast që krijohet, me ç’duket deri më tani, ajo eviton përballjen me prefektin. Sigurisht që nuk është çështje frike, por thjesht një lloj karshillëku dhe nënvlerësimi që kryebashkiakja i bën Astrit Aliajt. Por kjo s’mund të zgjasë pafund. Zamira Rami nuk mund të vazhdojë të dërgojë në çdo rast Vangjel Muçon. Edhe pse ajo mund të mos e durojë dot Astrit Aliajn, herët ose vonë do të duhet të ulet apo shoqërohet me të publikisht, qoftë dhe vetëm se i detyron protokolli.
©ArgjiroLajm.net