Ylli Muho është emëruar në krye të Bordit të Kullimit në Gjirokastër, pozicion që vitet e fundit e mbante Kristaq Xha. Muho ka qenë ish kryetar i Komunës Antigone dhe prej korrikut 2015 ishte nënkryetar i Bashkisë Gjirokastër. Por ai u shkarkua nga kryebashkiakja Zamira Rami në shkurt të vitit 2017. Pas atij shkarkimi Muho hodhi akuza të rënda ndaj saj. Ai e cilësoi Zamira Ramin si kryebashkiake arrogante dhe të paditur.
“Unë i kërkoj ndjesë gjithë socialistëve, qytetarëve të Gjirokastrës që kam punuar e luftuar për të mbledhur vota për këtë zonjë që shpërdoron në mënyrë të pamerituar besimin qytetar. 64% e fitores së të majtës në pushtetin vendor në Gjirokaster ju takon pikërisht socialistëve, që ajo i denigron, përçmon dhe heq nga puna çdo ditë”, deklaronte atëhere Ylli Muho.
Ndërkohë Bordi i Kullimit është një prej institucioneve që është paralajmëruar se do të shkrihet në kuadër të reformës në administratën shtetëtore. Por sidoqoftë kjo mbetet për t’u parë në muajt e ardhshëm.
©ArgjiroLajm.net