Më shumë se gjysma e punonjësve të Shërbimit të Provës gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga Ilir Qafa, përfaqësues i LSI është marrë në punë në mënyrë të paligjshme. Një kontroll i ushtruar nga DAP dhe i kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës ka arritur në konkluzionin se 92 punonjës janë emëruar në detyrë edhe pse nuk kanë kryer konkurset e organizuara nga DAP.
Ndërkohë DPSHP ka gjithsej në organikë 148 punonjës. Ky institucion duke qenë pjesë e shërbimit civil e ka të detyrueshme që ti marrë punonjësit sipas ligjit “Për nëpunësin Civli”. Por duket se drejtuesi i vendosur aty nga LSI, i ka shkelur në mënyrë të hapur detyrimet e ligjit.
Në një njoftim të shpërndarë nga Ministria e Drejtësisë lidhur me këtë çështje, thuhet se DAP ka kërkuar largimin nga puna të këtyre 63 prej këtyre punonjësve, pasi emërimi i tyre është i paligjshëm. Pjesa tjetër e 92 të emëruarve është larguar më parë nga detyra. Nisur nga rekomandimet e DAP, Drejtoria e Shërbimit të Provës ka filluar procedurat ligjore duke i thirrur një nga një të të gjithë të emëruarit në mënyrë të paligjshme dhe duke i dëgjuar për pretendimet që ata mund të kenë.
Shërbimi i Provës aktualisht mbikqyr 6664 persona të dënuar me dënime alternative dhe 32 persona me arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike. Ish-drejtuesi i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë gjatë zbulimit të skandalit të byzylykëve elektronikë, ndërsa aktualisht është ekspert i LSI në Këshillin e mandateve në Kuvend./tema









