Vetëm 8 vjet ka zgjatur qëndrimi i deputetit Vangjel Tavo në radhët e LSI-së. Me një vendim të papritur ai ka komunikuar gjatë ditës së sotme rikthimin sërish në Partinë Socialiste, aty ku ka milituar që në vitet e para të karrierës së tij politike. Ndonëse kishte disa ditë që diskutohej për këtë lëvizje të re të tij, Tavo thyen heshtjen sot përmes një letre publike, me anë të së cilës sqaron vendimin e papritur. Ju sjellim më poshtë letrën e tij të plotë.
Të nderuar banorë të qarkut Gjirokastër,
Dëshiroj që përmes kësaj letre të hapur t’ju komunikoj një vendim tejet të rëndësishëm, të cilin nuk e kam patur të lehtë që ta marrë, pasi kam menduar që ju do të më paragjykonit. Sa herë bëhesha gati ta shpallja vendimin, tërhiqesha dhe thoja se mbase duhet shtyrë edhe pak. Por durimi e ka një kufi dhe unë s’mundem më të vazhdoj të gënjej veten dhe as ata që më kanë votëbesuar për gati dy dekada. Prandaj sot, në këtë ditë të shënuar kur të krishterët katolikë kremtojnë ringjalljen e Krishtit, unë zgjodha të njoftoj largimin tim përfundimtar nga radhët e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. I besoj simbolikës së fuqishme të kësaj dite dhe ndjej se rikthimi im në Partinë Socialiste do të jetë i mirëpritur prej elektoratit dhe strukturave të partisë. Si njerëz, ne të gjithë jemi të gabueshëm. Këtu as unë nuk bëj përjashtim. Gabova 8 vjet më parë kur braktisa PS-në, për një parti e cila ndonëse më bëri edhe Ministër Shëndetësie, kurrë s’më ofroi dot atë kohezion dhe energji për të cilën unë kam nevojë. E vetmja mënyrë për të justifikuar largimin tim të atëhershëm nga PS-ja, ishte të shpikja një gjoja konflikt me Flamur Bimen, i cili asokohe drejtonte Bashkinë Gjirokastër. Edhe pse Bimes kjo s’i pëlqeu kurrë, miqësia dhe bashkëpunimi ynë vazhdoi për një kohë të gjatë.
Madje edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare ai ishte një nga mbështetësit e mi në fushatë. Për këtë fakt socialistët e sulmuan publikisht disa herë, por ai nuk u tërhoq për asnjë çast. Largimi përfundimtar nga LSI-ja lidhet edhe me zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Gjirokastër. Kryebashkiakja Zamira Rami ka bërë disa lëvizje politike, pa u konsultuar fare me mua, edhe pse dihet botërisht se unë kam qenë mentori i saj. Nëse nuk do të isha unë, Zamira Rami s’do të ishte bërë as prefekte dhe as kryetare bashkie. Kishte për të mbetur thjesht një pedagoge në universitet. Megjithatë raporti që ajo ka me mirënjohjen dhe luajalitetin është një çështje personale e saj, prandaj s’dua ta komentoj më tej. Unë kam refuzuar që ditën e parë aleancën e LSI-së me PD-në në Gjirokastër. Pavarësisht se nuk jam shprehur publikisht, ia kam thënë disa herë Zamirës, që të mos përzihet me PD-në sepse po t’i fryjmë këtij zjarri rrezikojmë të digjemi edhe vetë. Por nuk më dëgjoi dhe rrjedhimisht të gjitha pasojat e marrëveshjes së saj me PD-në bien vetëm mbi atë. Unë i dola borxhit. Sot e tutje do të jem pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Të jem i sinqertë me ju, rikthimin në PS e kam disi të vështirë sidomos për shkak të asaj që ndodhi në zgjedhjet e fundit.
I kam ende në kujtesë sulmet e Bledi Çuçit, Mirela Kumbaros e Flamur Golemit. Më thanë e ç’a s’më thanë gjatë fushatës, madje më ngjitën dhe disa etiketa si ‘deputeti me numër telefoni’; ‘deputeti call centre’; ‘deputeti 20-vjeçar’ etj. Por unë jam njeri tolerant dhe për të mirë të partisë i kam falur. Zotohem se do të punoj me ta për Gjirokastrën që duam dhe për t’i rikthyer socialistëve bashkinë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. E di që ndoshta nuk do të më besoni, por unë s’kam siklet të them, se për këtë rikthim te PS-ja, jam frymëzuar jo pak edhe prej Ardian Hyskës, Selaudin Moshos dhe Arben Rexhës. Lëvizja e tyre ishte në çastin e duhur sepse më shërbeu edhe mua të vrisja frikën brenda vetes për këtë kapërcim të ri, që shpresoj shumë të jetë i fundit. Po e mbyll këtë letër me një shprehje të Winston Churchill. ‘Politika nuk është lojë, por një biznes serioz’
Sinqerisht,
Vangjel Tavo.
ArgjiroLajm.net ju uron gëzuar 1 Prillin- Ditën Botërore të Gënjeshtrave. Letrën e mësipërme dhe shumë gjëra të tjera që ndoshta do t’ju thonë sot, mirë është të mos i merrni seriozisht.