Dy shqiptarë humbën jetën në një aksident të rëndë rrugor në Greqi ndërsa vajza e njërit prej viktimave mbeti e plagosur. Shqiptarët që udhëtonin me një makinë, u përplasën nga një kamion, shoferi i të cilit u arrestua. Mediat greke kanë zbuluar detaje rreth kamionistit të arrestuar. Greku ishte person me precedentë në fushën e shkeljeve rrugore. Ai ishte proceduar së paku 8 herë për drejtim mjeti në gjendje të dehur, ndërkohë që në ditën e aksidentit kishte udhëtuar më shumë se 17 orë pa bërë pushim. Nga aksidenti mbeten të vdekur në vend Spiro Guri i datëlindjes 1958 dhe Dhimitër Pambuku i datëlindjes 1953, ndërsa vajza e Spirto Gurit, 34-vjeçarja Balerina Guri u transportua në spital në rrezik për jetën.
“Çdo mëngjes, Spiro çon vajzën tonë në punë. Tani kam humbur burrin tim dhe vajzën e kam në prag të vdekjes nën kujdesin intensiv të mjekëve”, ka thënë gruaja e shqiptarit që humbi jetën, në një rrëfim të trishtë për mediat greke.
Sipas hetimeve, në momentin e aksidentit tragjik, në gjakun e tij u konstatua një nivel alkooli 0.78 mg, por kjo nuk ishte hera e tij e parë. Avokati ka theksuar se ai është i tronditur, është njeri punëtor dhe do të kërkojë edhe vetë falje për dhimbjen e madhe që u ka shkaktuar familjeve të viktimave.