Kryeministri, Edi Rama, deklaroi sot se është optimist për përmbushjen e objektivit të shpallur për realizimin e 25 mijë punësimeve të reja brenda këtij viti.
“Në muajt mars, prill, maj ne kemi kapërcyer 10 mijë të punësuar. Jemi shumë optimistë që do realizojmë objektivin për të pasur 25 mijë të punësuar të rinj në 2018 vetëm përmes zyrave të punës…”, tha Rama. Duke folur në konferencën kombëtare të punësimit, kreu i ekzekutivit deklaroi se gjatë këtij viti e deri në përfundim të mandatit do të ketë një rritje të rëndësishme të punësimit falë një programi që synon rritje ekonomike me anë të punësimit. Megjithatë, Rama sërish përsëriti qendrimin se puna ka por nuk ka specialistë.
“E vërteta është që shumë shqiptarë në moshë pune nuk janë aktiv në tregun e puëns, një pjesë e tyre janë ende në kërkim të punësimit, por nga ana tjetër mbetet një sfidë e madhe aftësimi i tyre për tregun e punës. Ajo që u tha nga Klosi se në Shqipëri punë ka por nuk ka specialistë, e vërteta është që është realiteti i përditshëm i të gjithë ballafaqimeve tona me kompanitë dhe gjithë ballafaqimeve të pasuksesshme të njerëzve në kërkim të një pune me kompanitë.
Sot nuk ka, dhe e them me përgjegjësi, asnjë kompani të madhe që klasifikohet si biznes i madh që nuk ka vend pune. Në çdo derë kompanie po të trokasësh do të shohësh se ka vende të lira pune, problemi i kompanive është aftësia specifike për mbulimin e nevojave të këtyre vendeve të lira të punës…”, – tha Rama.









