Një sasi prej rreth 700 kg drogë janë sekuestruar nga Policia e Vlorës. Lënda narkotike është gjetur tek depot e Valanidhit në zonën e Karaburunit. Lënda narkotike u gjet e fshehur në disa çanta në breg të detit dhe dyshohet se do të trafikohej drejt Italisë. Policia ka dhënë detaje për ngjarjen përmes një njoftimi për media.
Strukturat Policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me Delta Forcë kanë zhvilluar operacionin e koduar ”Karaburuni”, në të cilin kanë goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike. Si rezultat është arrestuar në flagrancë shtetasi: Benardo Nezhaj, 29 vjeç, banues në Dukat i Ri, Orikum.
U krye arrestimi i tij pasi në Gadishullin e Karaburunit, në vendin e quajtur “Depot e Valanidhit, iu gjetën dhe sekuestruan 671 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, si dhe 200 litra benzinë në 8 bidona plastik.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti si dhe për identifikimin e kapjen e të tjerë shtetasve të përfshirë në ketë veprimtari antiligjore. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale ”Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal.








