Një ditë pas aksidentit tragjik në Jorgucat ku humbën jetën dy gra nga Lazarati, gruaja tjetër e cila mbeti e plagosur ndodhet në gjendje më të mirë. 40-vjeçarja Parashqevi Gjini vazhdon të jetë e shtruar në spitalin ‘Omer Nishani’, ku po mbahet nën mbikëqyrjen e mjekëve, por siç thonë këta të fundit tashmë s’ka asnjë rrezik për jetën dhe se pas disa ditësh mund të largohet në shtëpi. Vetë Gjini duke folur për mediat thotë: “Nuk di. Isha në rrugë dhe rashë në kanal, fluturova. Ecnim rrugës anës bordurës. Kaq. S’di gjë tjetër. S’mbaj mend fare”.
Gruaja e plagosur nuk di të thotë nëse shoferi që shkaktoi aksidentin ishte apo jo me shpejtësi të lartë. Ajo bashkë me dy gratë e tjera që ndërruan jetë, po qëndronin anës rrugës në pritje të autobusit. Ato punonin në një pikë të grumbullimit të bimëve medicinale. Policia ndërkohë ka arrestuar shoferin Leonidha Klemo. Ngjarja është nën hetim nga Prokuroria e Gjirokastrës.
© ArgjiroLajm.net