Reformimi në Policinë e Shtetit vijon. Që pas marrjes së detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka nisur një proces reformimi dhe ndryshimi në strukturat e saj, ku gjatë kësaj kohe janë kryer një sërë lëvizjesh. Sakaq, këto lëvizje kanë vijuar edhe përgjatë ditës së djeshme. Ajo që vlen të theksohet është fakti se këto lëvizje kanë ardhur pas një takimi që kryeministri Edi Rama zhvilloi dje në Durrës me drejtorët e policisë. Gazeta ‘Sot’ shkruan se ky takim është kryer në kuadër të nisjes së sezonit turistik, por pavarësisht kësaj kreu i qeverisë nuk ka “harruar” të paralajmërojë krerët e policisë.
Gazeta mësoi se Rama u ka kërkuar drejtorëve që ta kryejnë punën e tyre siç duhet dhe të thellojnë veprimet në luftën kundër krimit dhe drogës. Kjo nuk është hera e parë që Ardi Veliu, që pas marrjes së detyrës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kryen ndryshime në strukturat që ai drejton. Vetëm pak kohë më parë ai prezantoi disa lëvizje në radhët drejtuese të Policisë së Shtetit , të cilat i vlerësoi si nevojë e domosdoshme për një ritëm të ri në përmbushjen e prioriteteve të reja të institucionit që ai drejton.









