E ka zënë mallkimi i Grupit F edhe skuadrën gjermane? Në 2010-ën Italia që vinte si kampion bote dhe u eliminua në fazën e grupeve. Në 2014-ën ishte radha e Spanjës. Në këtë listë të zezë nuk kërkon të përfshihet trajneri Lëv. Por për të arritur këtë gjë, gjermanët duhet të ndryshojnë kurs në ndeshjen e ardhshëm ndaj Suedisë.
Edhe pse meksikanët janë skuadra më e mirë në grup në krahasim me Suedinë dhe Koresë së Jugut, skandinavët nuk duhen nënvlerësuar. Kujtojmë që “Pancerat” nuk ishin skuadra e vetme që nuk bindi në ndeshjen e parë. Spanja, Brazili dhe Argjentina nuk arritën të debutojnë me fitore në Rusi.
MBROJTJA DHE HUMBJA E TOPIT
Mats Humels tha pas takimit se ishte i vetëm në mbrojtje së bashku me Xherom Boateng. Hapësirat në mbrojtje mund t’i shihje qartë. Khedira dhe Kros ishin lënë vetëm. Mesfushori i Juventusit ishte ai që duhet të mbyllte këto hapësira. Por ai dështoi në momentin që skuadra duhet të dilte në sulm, duke humbur shumë topa dhe kështu kundërshtari kundërsulmonte rrezikshëm. Kimish ishte shumë përpara dhe kjo solli një humbje të ekuilibrit në repartin defensiv. Ndaj Suedisë kjo sjellje e skuadrës në fushë mund të jetë një problem, edhe pse nordikët nuk kanë shpejtësinë e meksikanëve.
ZGJIDHJA E MUNDSHME
Khedira mund të zëvendësohet nga Gyndoan që ka më shumë kualitet në krijimin e aksioneve. Një alternativë tjetër është Leon Gorecka, ndonëse Lëv vështirë se do t’i besojë atij. Një mundësi e tretë do të ishte sakrifikimi i Ozil dhe në mesfushë do të luante treshja Kros, Khedira dhe Gyndoan.
SULMI DHE BESIMI NË FORCAT E SKUADRËS
Shumë tifozë pyesnin se çfarë nuk po shkon me veteranët. Tomas Myler dhe Mesut Ozil, që në Botërorin e 2014 ishin në kulmin e tyre, të dielën ishin hija e vetes së tyre. Mungonin idetë dhe loja argëtuese. Myler, Verner, Draklser dhe Ozil kombinuan shumë pak. Meksikanët nuk u ndien asnjëherë të kërcënuar. Lojtarëve u mungonte besimi për të krijuar diçka në zonën e kundërshtarit. Asnjë iniciativë personale për të dribluar në zona të ngushta dhe kjo ndaj një kundërshtari si Meksika.
ZGJIDHJA E MUNDSHME
Marko Rojs duhet të luajë nga minuta e parë dhe kjo nuk ka diskutim. Lëv duhet të lërë në stol njërin midis Myler ose Ozil për t’u dhënë freski aksioneve sulmuese.
FORMACIONI I PARË
Kush nuk e meriton të jetë në formacionin e parë? Pas një paraqitjeje të atillë, në fakt të gjithë. Disa janë të gdhendur në 11-shen e parë. Lëv nuk bën dot pa Nojer, Boateng, Humels dhe Kros. Të tjerët janë në pikëpyetje duke filluar që nga Tomas Myler, dikur i padiskutueshëm për Lëvin që i beson lojtarit, i cili ka shënuar 10 gola në ndeshjet Botërorit me përfaqësuesen e tij. Por trajneri sheh më shumë energji te lojtarët e rinj. Jo vetëm Marko Rojs, por edhe Julian Brandt që hyri në lojë në minutën e 86-të dha sinjale të mira. Ai gjuajti nga distanca duke iu afruar shumë golit të barazimit në minutën e 88- të. Ndërkohë Timo Verner mësohet të ketë dalë nga fusha pas një dëmtimi të pësuar gjatë lojës. Për 22- vjeçarin ishte ndeshja e parë në një kampionat Botëror. Ai u mundu të bënte diçka, por pa sukses.
ZGJIDHJA E MUNDSHME
Mario Gomez, edhe pse jashtë formës së tij më të mirë, dyluftoi mirë në duelet me mbrojtjen kundërshtare. Edhe pse një aktivizim nga minuta e parë mund të ndryshonte diçka, Gomez nuk duhet të futet nga minuta e parë. Marko Rojsit dhe Julian Brandit duhet t’i jepen më shumë minuta nga trajneri. Lëvit i duhet të sakrifikojë një kampion për të ndryshuar fytyrën e skuadrës në ndeshjen delikate ndaj Suedisë. Një rezultat tjetër, përveç fitores, do t’ia ndërlikonte shumë qëndrimin në Rusi skuadrës dhe stafit.
Zërat për një largim të trajnerit që shpalli kampion bote skuadrën katër vite më parë kanë filluar të qarkullojnë shumë pas humbjes së djeshme. Nuk përjashtohet edhe mundësia e një vetëlargimi të trajnerit në rast se nuk kalon Grupin F. Por, le t’u japim një shans lojtarëve dhe mos të hidhemi në hipoteza. Janë akoma edhe dy ndeshje për t’u luajtur, ndaj Suedisë edhe Koresë së Jugut, që në përballjen ndërmjet tyre treguan se mund t’u hapin probleme “Pancerave”. Suedezët, edhe pse pa Ibrën, mund të eliminojnë një skuadër tjetër të madhe pas Italisë./Panorama Sport/