Padrejtësitë që pretendon se janë bërë ndaj familjes së saj kanë shtyrë një grua të tentojë të vetëdigjet para Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër.
Sadije Hysa, 49 vjeç nga fshati Dukaj i Tepelenës me një shishe benzinë në dorë ka kërcënuar se do të digjet ndërsa për të kryer këtë akt ka kërkuar prezencën e mediave.
Një punonjës i sigurisë është afruar pas shpinës së gruas dhe i ka hequr nga dora shishen me benzinë, duke e shpëtuar nga djegia.
Një video gruaja e alarmuar shprehet: “Më kanë djegur shtëpinë, më kanë marrë dokumentet, ndaj familjes sime janë bërë padrejtësi”.
Gruaja pretendon për padrejtësi pasi burri dhe djali i saj janë arrestuar për prodhim dhe tregtim të lëndëve narkotike.
Pas ndërhyrjes gruaja është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës.