Papa Françesku priti sot një grup me pelegrinë shqiptarë, të cilët gjenden në Romë për përkujtimin e 55-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu. Gjatë fjalimit të tij, Papa përshëndeti shqiptarët në emër të lidhjes së vjetër mes Selisë së Shenjtë dhe vendit tonë.
Mes të tjerash, Papa tha se Shqipëria është një vend i lashtë me një histori të lavdishme. “Shqipëria është një pjesë integrale e Europës me historinë unike. Sot, ne kujtojmë Skënderbeun, birin heroik të një populli të fortë dhe bujar, që mbrojti vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë me kurajë”.
“Skënderbeu farkëtoi identitetin kulturor shqiptar me veprat e tij, që janë bërë simbol i padiskutueshëm i kohezionit dhe unitetit kombëtar”.
Ati i Shenjtë foli edhe për emigrimin e shumë të krishterëve pas vdekjes së Skënderbeut dhe mirëpriti praninë e shqiptaro-italianëve mes pelegrinëve. Një thirrje e rezervoi edhe për gjeneratat e reja, duke bërë thirrje që të bëhet gjithçka që ata të mos emigrojnë.
“Shembulli i Skënderbeut shpreh karakterin shqiptar,” tha Papa, duke e vënë theksin tek klima e respektit të ndërsjellë dhe besimit mes katolikëve, myslimanëve dhe ortodoksëve në Shqipëri.









