ArgjiroLajm.net publikon sot një sondazh, në të cilin mund të votojnë të gjithë lexuesit tanë për të zgjedhur Personazhin e Vitit 2018 në Gjirokastër. Natyrisht që kjo është një përpjekje modeste, e cila zë fill në një traditë të krijuar prej vitesh nga media të tjera kombëtare në Shqipëri dhe sigurisht mediat në mbarë botën. Besojmë se në këtë mënyrë mund t’i japim edhe njëherë ndoshta pak më shumë vëmendje atyre njerëzve që kanë ndikuar në qytet, kanë dhënë për të apo kanë përfituar prej tij përgjatë vitit 2018 ose edhe që kanë spikatur. Ne kemi menduar një listë prej 10 emrash, për të cilët do duhet që deri më datë 31 Dhjetor, ora 20:00 ju të votoni për të zgjedhur Personazhin e Vitit në Gjirokastër. Më poshtë lista me emra dhe një shpjegim i shkurtër për çfarë ata përfaqësojnë, si dhe përse janë përzgjedhur të jenë në këtë listë.
1. Hasan Lika—Në historinë e klubit të futbollit gjirokastrit ai do të mbetet si trajneri i parë, nën drejtimin e të cilit, Luftëtari arriti kualifikimin historik në kupat e Europës. Falë punës së tij dhe futbollistëve të ekipit, u shënua një histori suksesi që do të kujtohet sa të jetë jeta. Ndonëse të gjithë donin dhe prisnin që ai të mbetej në krye të klubit, drejtuesit e Luftëtarit nuk ia rinovuan kontratën. Me ikjen e Hasan Likës, filloi rrokullisja e klubit drejt krizës. Dështim me sukses dhe dyshime për pazare në ndeshjet e Europa League, si dhe pozicionim nga fundi i tabelës në Superligë. Ky është Luftëtari që kemi pas largimit të Hasan Likës.
2. Këshilli Bashkiak Gjirokastër— Bëjmë një përjashtim kësaj here, duke mos qenë vetëm një person, por të gjithë bashkë. Viti 2018 ishte ndoshta i pari në historinë e Gjirokastrës, kur ky këshill që ka rolin e parlamentit të qytetit, u shndërrua në një cirk banal. Mbledhje pas mbledhje shihnim këshilltarë që ndryshonin partitë politike. Herë zgjidhej një kryetar këshilli, më pas shkarkohej, pastaj rizgjidhej një tjetër. Lëvizjet bëheshin gjoja në emër të parimeve, vullnetit të lirë dhe integritetit të lartë personal të vetë këshilltarëve. Por në fakt ishin thjesht pazare dhe dëshirë për të qenë pjesë e ‘tepsisë’. Ky këshill shënoi edhe një të veçantë tjetër gjatë vitit 2018. Tre partitë kryesore janë edhe në opozitë edhe në mazhorancë aty brenda. PS ka shumicën e këshilltarëve, LSI ka kreun e këshillit, PD ka sekretarin.
3. Kujtim Dumi—Është kuzhinieri dhe administratori i restorant ‘Kujtimi’, një biznes familjar në zonën muzeale të qytetit, që është shndërruar në një destinacion të pashmangshëm nga grupet turistike që vizitojnë Gjirokastrën. Larg luksit dhe arredimeve pompoze, ky restorant është shumë i frekuentuar nga të huajt sepse aty gjen gatime tradicionale. Kujtim Dumi është një histori frymëzuese për shumë të tjerë që kanë vendosur të mos e braktisin Gjirokastrën, por të shohin të ardhmen tek industria e turizmit. Restoranti i tij është një nga më të vlerësuarit në sajtin botëror ‘Trip Advisor’ dhe platforma të tjera ndërkombëtare.
4. Astrit Aliaj— Prefekti i Gjirokastrës ka spikatur gjatë vitit 2018 në disa drejtime. Në dallim nga paraardhësit e tij, ai demonstron një sens të lartë protagonizmi në çdo event të mundshëm në qark. Është i pranishëm vend dhe pavend. Mbledhjet e shpeshta me përfaqësues të institucioneve, ku çuditërisht të gjithë bien dakord me njëri-tjetrin, janë kthyer në bezdisëse për shumë titullarë, madje edhe për vetë gazetarët. Në shumë raste ato janë thjesht mbledhje sa për të dalë në televizor dhe për t’u dukur se gjoja po punohet. Astrit Aliaj është i pari prefekt në Gjirokastër që ka shpallur publikisht, me zë dhe figurë, një media si të lidhur me bandat e drogës. E ka bërë këtë për portalin tonë. Rreth një vit më vonë, s’ka arritur dot të faktojë akuzat e tij të rënda. Shpresojmë ta bëjë këtë gjë tani e tutje që miku i tij, gjenerali Sandër Lleshaj, mban postin e Ministrit të Brendshëm. Nëse s’i fakton dot akuzat, së paku të kërkojë ndjesë publikisht.
5. Grupi ‘Obelisk’—Disa fëmijë të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit rreth 5 vite më parë u pëzgjodhën nga mjeshtri Roland Çenko në kuadër të një projekti për të ruajtur dhe promovuar më tej këngën polifonike. Sot ky grup është një histori suksesi dhe shembulli më i mirë sesi pasohet iso-polifonia nga njëra gjeneratë në tjetrën. ‘Obelisku’ është pjesëmarrës në evente të ndryshme në qytet dhe jashtë tij, duke kontribuar në këtë mënyrë për promovimin e një tjetër pasurie të trashëgimisë botërore; Iso-polifonia.
6. Ervin Shameti—Ndoshta nuk është i njohur për ju si emër, por ai ka një histori inkurajuese jo vetëm për të ngjashmit me të, por edhe për ne të tjerët në përgjithësi. Ai është një paraplegjik që demonstron çdo ditë shembullin e njeriut që nuk i dorëzohet cinizmit të fatit dhe dallgëve ku të përplas jeta. Mbi karrigen me rrota prej më shumë se dhjetë vitesh kur bëri aksident, Ervini ushtron pasionin e tij dhe kontribuon për përhapjen e vlerave të Gjirokastrës. Vetëm me një laps të thjeshtë, ai punon skica të mrekullueshme me motive nga qyteti i gurtë. Më pas këto punime i shet për turistët në zonën muzeale, si dhe i promovon në faqen e tij në Instagram. Siguron pak të ardhura nga tregtia e skicave, por i bën një shërbim shumë të madh promovimit të Gjirokastrës sepse punimet e tij ikin nga qyteti bashkë me turistët.
7. Seldjan Toro—Në dallim nga shumë të rinj që braktisin Gjirokastrën në kërkim të një pune më të mirë në Tiranë apo jashtë shtetit në emigracion, ai ka zgjedhur të investojë në një agjenci turistike, me shpresën se ky qytet ka turizmin si mundësinë e vetme për t’u zhvilluar. ‘Albanian Dreams’ është një agjenci që i mungonte Gjirokastrës. Është e para e këtij lloji në qytetin e gurtë, pasuri botërore e UNESCO-s, duke ofruar një gamë të gjerë shërbimesh. Rasti i Seldjanit është një mesazh për të gjithë të tjerët e gjeneratës së tij, që mendojnë ikjen si shpëtimin e madh. Mos e braktisni Gjirokastrën!
8. Klement Konomi— Aktor profesionist i Teatrit ‘Zihni Sako’ në Gjirokastër. Në festivalin “Teatri shqiptar në Maqedoni”, në edicionin e tij të 17-të, ai shpallet nga juria si aktori më i mirë i festivalit. Ky është vetëm një moment në karrierën e tij, por ai ka me dhjetra role në skenën gjirokastrite duke kontribuar bashkë me të tjerë për mbajtjen gjallë të Teatrit ‘Zihni Sako’. Është fat i madh që Gjirokastra vazhdon të ketë ende një trupë aktorësh profesionistë. Me çdo çmim dhe në çdo rrethanë ata duhen ndihmuar për të mbajtur hapur Teatrin ‘Zihni Sako’.
9. Dragua Kalemi— Kur vjen puna tek turizmi dhe në mënyrë specifike te hoteleria, ai është ndër ata që ka gjithmonë diçka për të ndarë me të tjerët si përvojë. Dragua Kalemi është nga investitorët e parë në hoteleri në Gjirokastër në fillim të viteve ’90. Jo hoteleri në zonën urbane, aty ku rendnin të gjithë asokohe, por në zonën muzeale, pikërisht në shtëpitë me arkitekturë të veçantë. Kalemi e kuptoi ndër të parët se e ardhmja e Gjirokastrës kalonte përmes së shkuarës, përmes vlerave të trashëgimisë kulturore. Sot ai menaxhon dy hotele të njohura dhe të vlerësuara nga vizitorët vendas e të huaj. Hotel ‘Kalemi’ 1 dhe 2, janë një markë prej së cilës mund të mësojë kushdo tjetër që do t’i kthejë hotele apo bujtina shtëpitë karakteristike.
10. Murat Keraj— Jeta na ka mësuar shpesh se gjërat e mëdha apo ato që tërheqin më shumë vëmendje, nuk bëhen domosdoshmërisht nga njerëz të mëdhenj apo nga ata që kanë një mbiemër famoz, por edhe nga personazhe krejt të zakonshëm. Murat Keraj është një i tillë. Ai ka tërhequr disa herë vëmendjen me skulpturat e tij në dru, fotot e të cilave kanë bërë xhiron në rrjetet sociale dhe kanë ngjallur interesin e medias. Mjafton të përmendim shtatoren e Idriz Sulit në fshatin Zhulat, legjislatorit që krijoi Kanunin e Labërisë në vitin 1765. Shtatorja u gdhend në trungun e thatë të rrapit shekullor që gjendej në mes të fshatit. Ndërsa me trungun e thatë të një prej rrepeve të Libohovës, Murat Keraj punoi skulturën e Akilit të goditur me shigjetë në thembër. Vepra monumentale gjendet sot në Korfuz, ku e bleu një dashamirës i artit, për ta ekspozuar në biznesin e tij. Murat Keraj është shembulli i njeriut që bën art edhe me gjërat të cilat ne mendojmë se tashmë s’kanë më asnjë funksion. Kështu veproi ai me trungjet e dy pemëve gjigante.
Shënim: Pyetja e sondazhit do të shfaqet në fund të çdo artikulli që ne publikojmë deri më datë 30 dhjetor 2018, ora 20:00, si dhe në homepage të faqes tonë. Nëse hyni në faqe përmes Facebook, jo në gjitha rastet do t’ju shfaqet sondazhi, prandaj për ta patur më të lehtë ju mund të hyni direkt te www.ArgjiroLajm.net dhe të votoni personazhin që dëshironi.