Duket se indiferenca dhe apatia po merr fund edhe tek studentët e Gjirokastrës. Në rrjetet sociale ka nisur një organizim për t’u mbledhur nesër në protestë përpara Universitetit ‘Eqrem Çabej’. Njoftimi po përhapet me shpejtësi ndër studentë të këtij universiteti, megjithatë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë nesër. Janë thjesht protesta në Facebook apo realisht do të grumbullohen në shesh?
Gjatë tre ditëve kur Shqipëria zien nga protestat studentore, Gjirokastra ka qenë i vetmi qytet universitar ku nuk ka patur protesta. Mungesa e solidaritetit me kolegët e tyre në mbarë Shqipërinë, nuk është një gjë që e nderon Gjirokastrën dhe as u vjen në ndihmë studentëve. ArgjiroLajm.net është në mbështetje të tyre dhe pro reformimit të Universitetit ‘Eqrem Çabej’.
Ata që heshtin, nuk e duan Gjirokastrën dhe as universitetin. Qëllimi i tyre është thjesht të ruajnë status-quonë dhe të vazhdojnë ta rrënojnë universitetin. Kjo nuk duhet lejuar! Kjo është një nga ato protesta ku nuk ka rëndësi sasia e pjesëmarrësve, por qëllimi, ndaj numri potencialisht i vogël nuk tregon asgjë. Nuk po bëjmë thirrje për anarshi, por për një edukim më të mirë dhe reformim të Universitetit të Gjirokastrës. Ky nuk është krim, por kontribut për interesin publik, për të mirën e përbashkët.
©ArgjiroLajm.net