Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime dhe bisedime disa ditë rradhazi me studentët në disa fakultete të vendit, Partia Socialiste do të mbledhë Kryesinë e saj më datë 24 dhjetor, për të vijuar me pas me Asamblenë Kombëtare.
Asambleja Kombëtare do të mbahet më datë 28 dhjetor, ndërsa mësohet se arsyeja kryesore e mbledhjeve të strukturave të PS, të jetë analiza e qeverisjes së vendit gjatë një viti.
Kujtojmë që vendi prej ditësh është shkundur nga protesta të vazhdueshme, që nga ajo e banorëve të Unazës së re dhe zonave të tjera, banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe deri te e studentëve.
Kjo e fundit ka angazhuar edhe vetë kryeministrin Edi Rama, i cili ka kërkuar dialog me studentët për zgjidhjen e 8 kërkesave që kanë, ndërsa ende nuk dihet nëse do të ketë riorganizim në strukturat e partisë që drejton vendin.









