Nga Mero Baze/TemA
Nëse do të kuptosh se si nuk funksionon qeverisja në Shqipëri, ilustrimi më i mirë është qasja ndaj prioriteteve kombëtare që cakton qeveria në fushën e turizmit dhe mjedisit dhe asaj që bën po vetë qeveria, përmes burokracisë së saj. Ilustrimi më flagrant i kësaj politike janë historia tashmë skandaloze e lejeve për HEC-et e vegjël, një shpikje monstruoze e Sali Berishës, për të nxitur artificialisht investimet dhe kreditimin e disa sipërmarrjeve që rrisnin shifrat e rritjes ekonomike dhe që në një peridhë afatgjatë vdesin ekonominë dhe të ardhmen e vendit.
Shqipëria ka pasur një hartë të studiuar mirë nga shkencëtarët, sa i përket rezervave hidroenergjetike gjatë komunizmit, ku përfshihen veprat gjigande të hidrocentraleve dhe rreth 50 HEC-eve të vegjël, të cilët plotësonin harmoninë që duhej ruajtur mes nevojave të komuniteteve për rezervat ujore dhe nevojave për energji.
Pas vitit 2007, kur Berisha nxiti në mënyrë artificiale dhënien e licensave për HEC-e të vegjël, dhjetra biznesmenë u investuan në këtë fushë nën garacitë që qeveria jep për ta blerë energjinë me çmim të fiksuar dhe për të garantuar fitimet e tyre.
Në finale kemi qindra liçenca për HEC-e të vegjël që përfshijnë parqet kombëtare të Shqipërisë dhe zonat e orientuara për zhvillim të turizmit, por dhe përrenj dhe lumenj të vegjël që janë jetikë për komunitetin që banon aty.
Qeveria socialiste më 2013 premtoi tkurrjen e këtij fenomeni deri në zhbërje të tij, dhe kryeministri Edi Rama shpalli si prioritet agroturizmin dhe turizmin malor, si një perspektivë e besueshme për zonat e varfëra të Shqipërisë.
Dhe nuk është se nuk pati efekt. Ka dhjetra aplikime për zhvillimin e turizmit malor, ka një klimë pozitive në vend për ta parë turizmin e brendshëm si efikas për ekonominë dhe ka fshatra që nuk ua dinte njeri emrin, që sot janë kthyer në destinacione turistike.
Së paku tre zona me perspektivë turizmi si Kurveleshi, Zagoria e Malësia e Gramshit dhe Skraparit, janë tashmë të populluara nga turistë vendas dhe të huaj dhe qeveria ka investuar që aty të zhvillohen dhe projekte turizmi.
Nën kudjesin e Edi Ramës, Zagoria u shpall Park Kombëtar, kanionet e Skraparit fituan popullaritet ndërkombëtar dhe u pezulluan disa HEC-e që ishin planifikuar, ndërsa Nivica në Kurvelesh u promovua si model zhvillimi i turizmit malor, duke çuar aty dhe personalitete ndërkombëtare.
Por paralelisht me këto, po administrata e qeverisë së Edi Ramës, në Nivicë ka aktivizuar në Kanione, licesimin e HEC-eve, në Zagorie ka dhënë leje për koorporatën ndërkombëtare “SHELL” për shpime për naftë dhe ndërkohë janë në proces disa HEC-e përfshi dhe përrenj të tjerë si ai i Mezhgoranit dhe Hormovës, që u merr dhe ujin me të cilin mbijetojnë fshatarët për të pirë dhe ujitur. Ndërkohë në ujëvarën e famshme të Holtës në Garmash, po fillon ndërtimi i një HEC-i.
Nuk është puna se duhet të prekemi nga zhurma e ekologjistëve, dhe atyre që dashurojnë natyrën. Po e heq veten një moment nga kjo kategori që i përkas dhe unë. Por këto projekte janë dhe ekonomikisht të pavlefshme. Turizmi është një investim afatgjatë, që shpërndan të ardhurat në gjithë banorët e zonës dhe prodhon të ardhme për zona të tilla. Parku i Valbonës fjala vjen, prodhon më shumë të ardhura nga turizmi se sa nga HEC-et, të cilat shkojnë tek një biznesmen. Zagoria ka pyllin e fundit të virgjër në Shqipëri, ka një histori mahnitëse për turizëm kulturor dhe një vazhdimësi gjeografike me Zagorien greke që është kthyer në qendrën e turizmit elitar malor në Ballkan. Nëse aty do të hapen rrugë përmes pyllit për të bërë puse nafte apo HEC-e, ajo do bëhet një zonë më e shëmtuar se zona e naftës në Mallakastër, ku jo turizëm por as zogj nuk do ketë më. Holta e Gramshit ka qenë destancion për qindra vizitorë të natyrës dhe mbante shpresat e ndezura për popullsinë vendase për të jetuar me turizëm. Ndërtimi i një HEC-i, përveçse vdes ekosistemin, e bën të vdekur perspektivën e turizimit në zonë.
Nivica është po ashtu një tjetër kontradiktë e fortë e orientimit për të zhvilluar turizmin dhe shkatërrimit përmes HEC-eve që i shërbejnë një biznesmeni.
E gjitha kjo vjen ngaqë qeveria funksionon me dy standarde, tjetër gjë thotë qeveria qëndrore dhe tjetër gjë bën po administrata e saj, që bën sikur nuk e ka mendjen se çfarë thotë qeveria qëndrore.
Po të shikosh studimet e mjedisit që justifikojnë këto leje, janë të gjitha paçavure, të bëra nga diletantë të paguar që nuk kanë asnjë lidhje me mjedisin dhe strategjinë e zhvillimit të këtyre zonave.
Akoma më e shëmtuar është ideja e marrjes së ujit të këtyre lumenjve apo përrenjve, futjes në tuba, devijimit nga shtrati normal dhe nxjerrjes diku tjetër, duke shkatërruar gjithë ekosistemin dhe zhvillimin milionavjeçar të faunës dhe florës, orientuar buzë rrjedhës së tyre.
Dhe e gjitha kjo përse?
Sipas të dhënave të OSHEE, sivjet ne kemi rreth miliona euro humbje nga HEC-et e vegjël, pasi ka qenë një vit me shumë reshje dhe kur çmimi i energjisë ishte shumë i ulët, ne jemi detyruar ti paguajmë shtrenjtë HEC-et e biznesmenëve që përfitojnë nga një ligj i Sali Berishës, që duhet t’u garantojmë blerje me çmim të fiksuar. Pra jo vetëm që nuk fitojmë por ripaguajmë për ta. Ne paguajmë shkatërrimin e natyrës dhe humbjen e perspektivës turistike në këto zona, paguajmë nga xhepi dhe para për këta biznesmenë.
Ndaj është koha që qeveria qëndrore të koordinojë qartë politikat e zhvillimit të vendit, me dikasteret e saj, dhe të shmangë politikat me dy standarde, pasi duket sikur qeveria bën propogandë për tjetër gjë, e ministritë bëjnë tjetër gjë. Eshtë koha që qeveria të heqë “vija të kuqe” për zona të caktuara, të cilat duhet t’i përkushten turizmit dhe parqeve kombëtare. Nëse mendon se kjo është një gabim, le ta thotë këtë me ligj dhe të tërhiqet nga këto politika, dhe ta mbledhin mendjen të gjithë që këtu s’do ketë turizëm malor apo agroturizëm. Por është krim që në të njëjtin vend të orientosh dhe biznesmenë të bëjnë investime në turizëm dhe të tjerë të bëjnë puse nafte apo HEC-e. Kjo është, t’i shkatërrosh të dy palët dhe të prodhosh kaos dhe piramida, në vend të zhvillimit të qëndrueshëm.