LSI do të jetë forcë e parë politike në zgjedhjet e 18 qershorit në Gjirokastër.
Deputeti i LSI-së në këtë qark, Vangjel Tavo, thotë në një intervistë për “Shqiptarja.com” se angazhimin e dy ministrave socialistë përballë tij në këtë qark, nuk e konsideron si një përballje mes kundërshtarësh.
Ai thotë se LSI është e shqetësuar për mundësitë që kjo qeveri jep për rininë, dhe se në këtë aspekt, klasa politike duhet të kërkojë falje. Lidhur me përplasjet e tij të fundit me policinë e shtetit me akuza publike, Tavo shprehet se refuzon të shpenzojë kohën me histori dhe konflikte të sajuara politike apo personale, por zgjedh të bëjë detyrën e tij funksionale si deputet i qarkut të Gjirokastrës.
Perballe jush, PS ka angazhuar dy ministra, Bledi Çuçin dhe Mirela Kumbaron. Ju frikeson nje mobilizim i tille nga rivalet brenda se majtes?
Politika në vetvete nuk ka rivalë, as kundërshtarë. Politika është një përballje idesh dhe alternativash të cilat parashtrohen përpara qytetarëve dhe zgjidhen prej tyre. Edhe z. Çuçi dhe znj. Kumbaro e shohin politikën në këtë mënyrë, ndaj me 18 Qershor qarku i Gjirokastrës do të zgjedhë, ashtu siç ka zgjedhur gjithmonë me maturi dhe zgjuarsi, përfaqësuesit e saj të cilët do mbrojnë më së miri interesat e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Shfrytëzoj këtë intervistë të falenderoj edhe një herë të gjithë banorët e qarkut të Gjirokastrës për besimin që kanë patur në mua për më shumë se njëzetë vite. Duke më dhënë privilegjin tu shërbej si deputet i këtij qarku. T’i shërbesh komunitetit është misioni më fisnik i një politikani. I falenderoj nga zemra që ma bënë të mundur këtë mision.