Ai që përflitej deri më tani si një prej kandidatëve të mundshëm të Partisë Socialiste për Bashkinë Gjirokastër ka marrë një vendim të papritur. Flamur Golemi njofton se do të dorëzojë mandatin e deputetit për t’u larguar përfundimisht nga politika. Përmes një letre publike ai bën me dije motivet që e kanë shtyrë drejt këtij vendimi disi të çuditshëm për stinën politike.
Deri më tani kemi parë largime nga Parlamenti të përfaqësuesve të opozitës, ndërsa dorëheqja e Flamur Golemit është si rrufeja në qiell të hapur. Por përse ai zgjodhi të merrte një vendim të tillë? Ju sjellim më poshtë letrën e tij të plotë për të kuptuar më tepër.
Të nderuar miq,
Të nderuar banorë të Gjirokastrës,
Nuk e mendoja kurrë se do të vinte ky moment për të shkruar një letër të tillë dhe për të marrë një vendim si ky. Mund të duket si një vendim i papritur nga ana ime, por ju siguroj se nuk është kështu. Unë e kam menduar gjatë këtë lëvizje edhe pse s’e kam të lehtë për hir të së vërtetës. Jam konsultuar me shokun tim, artistin Fate Velaj. Bisedova gjithashtu edhe me Andin, Genon, Kolin, Cean dhe Shpëtimin. I mblodha një ditë bashkë të gjithë tek ‘Modusi’. E pleqëruam tamam këtë punë, edhe pse ata nuk ishin dakord me mua.
Biles fola edhe me Florin, që siç e dini unë nuk e honeps dot, por ia kërkova një mendim për këtë lëvizje. Ai ishte entuziast që po dilja nga skena. Adashin tim Flamur e pata të pamundur ta takoja ngaqë ishte shumë i zënë. Çoç ka nisur një biçim fushate për Arin nëpër fshatra. Kërkon ta bëjë patjetër kryetar bashkie. Të paktën kështu më thanë, nuk e di tamam dhe s’dua të spekuloj në fakt. Nejse! Pra, i përmend këta për të treguar se jam konsultuar gjerësisht përpara se të vendosja. E di që për shumë nga ju duket si një lloj ‘prerje në besë’ për votën që më dhatë dy vjet më parë, por më besoni që nuk është kështu. Thjesht e kisha të pamundur të prisja vendimin e Kryeministrit për të më kandiduar ose jo në Bashkinë Gjirokastër. Kjo pritje më krijonte dita ditës ankth dhe stres të vazhdueshëm.
Kishte netë që nuk vëja gjumë në sy vetëm prej ankthit që më shkaktonte pritja e pakuptimtë. Unë doja shumë që Edi Rama ta përmendte emrin tim në Kongresin e PS-së, njësoj siç bëri me Lali Erin, Dritan Lelin, Armando Subashin e të tjerë kandidatë për bashkitë në zgjedhjet lokale. Kjo gjë nuk ndodhi. Tani nuk pres dot më, edhe durimi ka një kufi. Nga ana tjetër mendoj se më takon të tregohem kavalier, duke i hapur rrugë dy zonjave zv.Ministre që i kanë sytë për Bashkinë Gjirokastër.
Ikja ime do t’i lumturojë pa masë, ato vetë dhe aktivistët e tyre part time për mbjellje pemësh, pastrim mbeturinash dhe komente në Facebook. E di që tani do shtohet akoma më shumë rivaliteti mes tyre, por së paku unë shpresoj mos të kemi ndonjë sherr derisa Edi Rama ta zyrtarizojë kandidaturën për Gjirokastrën. Edhe ajo puna e sondazhit që bënë ata legenat e portalit Argjirolajm.net sikur na kompromentoi pak edhe pse fitova bindshëm. Unë për vete s’kam asnjë lidhje me ata rusët që ‘fundosën’ Ornelën. Nuk di në ka gjë gisht Lisi, por të qe do të më thoshte. Sidoqoftë asnjëherë nuk është mirë të përflitesh për lidhje me rusët. Ja shikoni ç’heq Lul Basha i shkretë me atë kontratën e lobimit.
Të jem i sinqertë djegia e mandateve nga opozita më shërbeu edhe mua të vrisja frikën brenda vetes për këtë vendim të guximshëm që mora. Nuk dua të zgjatem më tej.
Në fund kam një falenderim për të gjithë ju që më keni mbështetur. Ju jam mirënjohës pa masë. Kam edhe një njoftim të rëndësishëm. Sot e tutje do t’i rikthehem me kohë të plotë profesionit tim si mjek okulist. Më gjeni çdo ditë tek klinika. Ama vizitat falas t’i harroni, s’ka më këtej e tutje. Shëndetësinë falas kërkojeni tek qeveria, jo tek unë. Harroi mushka Valarenë se Ali Pashën e prenë…
Sinqerisht,
Flamur Golemi
ArgjiroLajm.net ju uron gëzuar 1 Prillin- Ditën Botërore të Gënjeshtrave. Letrën e mësipërme dhe shumë gjëra të tjera që ndoshta do t’ju thonë sot, mirë është të mos i merrni seriozisht…
©argjiroja.net