Bashkia e Tiranës dhe policia tentuan sot të zbrazin Teatrin Kombëtar, por u penguan nga artistët, qytetarët dhe ish-deputetët e PD-së. Tensioni nisi që në orët e mëngjesit kur u pa një prezencë e madhe e forcave të policisë. Ata nisen të pengojnë artistët të futen në goditën e Teatrit, por pas shtyrjesh e përplasjesh, ata ia dolën të hyjnë në skenën e Teatrit. Aktualisht situata duket më e qetë, policia është terhequr dhe qendron jashtë godinës, ndërsa artistët vijojnë të ngujuar në sallën e Teatrit Kombëtar.
Më herët, artistët deklaruan se personat që kishin hyrë në ambientet e TK nuk ishin punonjës të Teatrit.
“Nuk mund te dhunohet ky tempull. Ky vend eshte i shenjtë. Teatri i ri të bëhet diku tjetër. Ju lutem na mbeshtesni eshte vlera e jone. Po ruajme institucionet nga vjedhja e oligarkeve”, tha Edmond Budina. Pranë protestuesve mbërriti edhe lideri demokrat Lulzim Basha, i cili tha se ”kjo është një skemë e pastër mafioze për t’i rrëmbyer kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë Teatrin Kombëtar për të pasuruar Edi Ramën dhe një grusht hajdutësh që kanë marrë përsipër prishjen e Teatrit Kombëtar dhe pastrimin e parave të drogës”.
Teksa zhvillohej kjo ngjarje e paprecedent, përplasja fizike mes policisë dhe artistëve, ka reaguar edhe Presidenti Meta.
“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme”, shkruan ai.










