Duke filluar nga muaji mars, rreth 90 mijë punonjës të administratës publike përfitojnë nga vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj thotë se rritja e pagave për punonjësit e administratës publike ka ardhur si rezultat i reformave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria.
I ftuar në emisionin “Të bësh ekonomi” me gazetaren Vjollca Kongjoni, ministri Ahmetaj u ndal tek kategoritë që përfitojnë rritje në përqindje të caktuara.
Nga studio e “News 24”, ministri Ahmetaj tha se rritje parashikohet edhe për institucionet e drejtësisë, por theksoi se kjo do të mundësohet me zbatimin e ligjit të vettigut dhe të reformës në drejtësi në tërësi.
Sa është numri i të gjithë administratës publike? Rreth 90 mijë punonjës të administratës përfitojnë nga rritja e pagave.
Të cila kategori është vendosur rritja më e lartë e pagës?
Në përqindje, rritja më e lartë bëhet për nivelin e ulët të pagave të administratës, shkon deri në 36 %. Duke filluar nga paga e marsit, që merret në prill, nuk do të ketë pagë nën 30 mijë lekë. Kjo fashë nuk janë punonjës me status të nëpunësit civil, janë të shërbimeve mbështetëse shumica. Ndërsa për pjesën e specialistëve, mesatarja është 10 %. Në të njëjtën masë përfitojnë arsimtarët, punonjësit e mjekësisë. Policia prej 2016 përfitoi rritje page, që sigurisht e meriton. Brenda rritjes janë edhe policia e burgjeve. Diplomatët përfituan rritje. Dua të theksoj se brenda reformës në drejtësi, ne kemi alokuar një shumë të caktuar e cila do duhet të konsumohet më pas në favor të sistemit të drejtësisë menjëherë sapo të zbatohet vettingu, e me radhë institucionet e tjera. Marzhi i rritjes në drejtësi, për disa institucione arrin edhe 100 %.
Përse kjo rritje u vendos tani në mars, dhe jo në muajin janar?
Së pari duhej rakorduar me FMN. Marrëveshja u mbyll në 24 shkurt. Megjithëse negociata ka filluar që me hartimin e buxhetit 2017, monitorimi do duhej të vazhdonte për disa muaj.
Si e bindët FMN, pas gjithmonë ju ka rekomanduar që mos bëni stimuj fiskalë?
Ky nuk është stimul fiskal. Ka qenë shumë e vështirë për të bindur FMN për bindjen e pagave dhe pensioneve. Kemi patur gati 2 muaj negociata. I kam filluar negociatat që në tetor. Kanë qenë debate të ashpra. Tensioni ka qenë maksimal, por për shkak të suksesit në mbledhjen e të ardhurave, të konsolidimit serioz fiskal, për shkak të reformave, u arrit kjo. Rritje nominale si kjo ne kishim tre vite që nuk kishim bërë. Por mos harroni se ne morëm një shtet të falimentuar. 2013 ishte falimentim tipik i shtetit.
Si u bë e mundur rrija e pagave?
Rritja e pagave u bë e mundur për shkak të një numri reformash që funksionuan. Në aspektin real është hera e dytë që ne rritim pagat, dhe në aspektin nominal hera e parë. Me taksën progresive iu dha mundësi rritje page shqiptarëve.