Avokati, Spartak Ngjela, ka deklaruar se shkarkimi i Presidentit Ilir Meta, do të shënonte një hap përpara për stabilitetin e koshiencës së ligjit, drejtësisë dhe antikorrupsionit në Shqipëri.
Ai shkon edhe më tej ndërsa thotë se kushti kryesor për hapjen e negociatave, ka lidhje me shkarkimin e kreut të Shtetit.
“Njëlloj si kushti që kishte Kroacia me Kryeministrin. Që Meta ka dyshime të mëdha për korrupsionin e dinë edhe pulat e lagjes që e kanë hetuar. Duhet një goditje që të ulin veshët të tjerët. Antikorrupsioni me ndërkombëtarët do të japë një goditje. Meta vajti vetë si cjapi te kasapi. Kishte dhe tre vjet rezervë që të mos prekej si President. Ai shkeli Kushtetutën.Nëse Gjykata Kushtetuese e pranon akuzën Shqipëria hyn në Perëndim. Mendohet se filloi lufta kundër korrupsionit”, është shprehuar Ngjela në Ora News.
Sipas tij, konflikti midis Metës, Berishës dhe Bashës sot qëndron pse ikën nga parlamenti.
“Po të ishin ata si bënin kurrë 94 vota. Këtu lindi konflikti dhe ai caktoi datën 13 për të shpëtuar veten. Caktimi i datës 13 jashtë kompetencës së tij përbën krim kushtetues. Venecia këtë do të thotë, është shkelje e rëndë e Kushetutës. Ka marrë fund”, ka thënë më tej Ngjela.









